Abissnet Superiore ka mbyllur javën e 33-të, teksa gjithçka kulmoi me derbin e kryeqytetit. 4 fitore dhe një barazim na serviri kjo javë. Lojtarë që shkëlqyen dhe spikatën duke qenë ndër më të mirët në skuadrat e tyre. Newsport.al ka përzgjedhur formacionin e javës nga porta e deri në majën e sulmit.
Padyshim që një vend kryesor zënë lojtarët e derbit mes Tiranës dhe Partizanit, ndërsa në stol gjithçka në këtë javë i “faturohet” Orges Shehit pas barazimit me Partizanit.
FORMACIONI I JAVËS:
Visaj BEKAJ (Tirana) – Tirana dhe Partizani barazuan 1-1 në “Air Albania”. Një nga protagonistët e kësaj sfide ishte padiskutim edhe Visaj Bekaj, i cili arriti të neutralizonte në 3-4 raste lojtarët e Partizanit. Nëse nuk do të ishin pritjet e gardianit kosovar, ndeshja mund të merrte tjetër rrjedhë, me demat që sulmonin vazhdimisht.
Bruno LULAJ (Tirana) – Para portës së mbrojtur nga Bekaj do të vendosej Lulaj. Detyrat i kishte të vështira, të ndalte Mba-në. Lojtari bardheblu zuri vendin e Behiratches dhe në fakt bëri shumë mirë. Në mbrojtje ishte një pikë kyçe për Orges Shehin dhe stabiliteti i tij i dhanë më shumë siguri kampionëve në fuqi, që të kërkonin edhe golin e barazimit.
Altin Bytyçi (Kukësi) – Kukësi mori një fitore të rëndësishme 3-0 ndaj Laçit. Në prapavij ishte i pakalueshëm, teksa shpesh herë detyroi kundërshtarët e tij të ndërronin krahët. Një ndeshje që bëri gjithçka në prefeksion në krahun e tij, duke mos i lënë asgjë rastësisë. U kthye në maksin e sulmuesve kurbinas dhe i bëri të jenë të “padukshëm”.
Esin HAKAJ (Vllaznia) – Vllaznia vinte me plot mungesa në mbrojtje në përballjen ndaj Teutës. E gjithë pesha e këtij reparti ra mbi supet e Hakajt, i cili tregoi gjithë potencialin e tij përballë sulmit durrsak. Si “qershia” mbi tortë e paraqitjes së tij erdhi edhe asisti që dhuroi për Çobën në golin e shkodranëve. Pa frik, jo vetëm në këtë ndeshje, por në gjithë këtë sezon ka qenë një lider i padiskutueshëm për Vllazninë.
Massanga MATONDO (Partizani) - Në derbi dhe në ndeshje të rëndësishme reparti që duhet të bëjë diferencën padiskutim është mesfusha. Cilado skuadër që merr frenat e këtij reparti do të shkojë me lehtë te porta e kundërshtarëve. Partizani kishte një “digë” para mbrojtjes. Matondo ishte përfekt gjatë gjithë sfidës, duke bërë ndëryrjet e duhura, ndërsa shpesh herë niste lojtarët drejt sulmit. Asnjë gabim gjatë 103 minutave. Në “Air Albania” bëri gjithçka në “perfeksion”.
Gjelbrim TAIPI (Kukësi) – Pas Bytyçit një tjetër pikë kyçe në fitoren e Kukësit ndaj Laçit ishte dhe Gjelbrim Taipi. Mesfushori mori gjithë përgjegjësitë mbi vetën për të nxjerrë verilindorët nga “errësira” ndërsa ishte një “robot” gjatë gjithë sfidës. Arriti të kontrollonte çdo centimetër të saj, ndërsa ishte shpesh kërcënues me daljet e tij në sulm dhe faullet që fitonte në afërsi të zonës, nga ku erdhi dhe goli i parë i sfidës me Ndrecën. Kapiteni bëri atë që duhet të bëjë një kapiten i vërtetë.
Ardit DELIU (Tirana) – Nëse Tirana ndodhet akoma në krye të klasifikimit e gjitha është për meritë të Deliut. Mesfushori shënoi golin më të veçantë në karrierë, kështu do të shprehej pas ndeshjes. Ky gol mund t’i japë në fund bardhebluve edhe titullin kampion. Një Eurogol nga distanca që “shtangu” të gjithë. Padiksutim është njeriu i ndeshjes dhe tashmë gjithçka është në dorë të skuadrës së tij për titullin kampion. I kudondodhur në fushë, luan mirë me topin, gjen hapsira për shokët e ekipit dhe arrin t’u dhurojë një natë magjike gjithë Fanatics-ave.
Edison NDRECA (Kukësi) – Bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj Laçit. Prezenca e tij në fushën e lojës është e pacënueshme te Kukësit. Hallaci e di se nga këmbët e tij mund të vij një “mrekulli”. Bën siç duhet detyrat mbrojtëse, ndërsa shpesh jemi mësuar të të shikojmë të rrezikojë edhe në sulm. Pikërisht nga e majta e tij erdhi dhe “predha” që kaloi verilindorët në avantazh.
Silvio ZOGAJ (Kastrioti) – Kastrioti mori një fitore “jetike” ndaj Egnatias. Një fitore që mban gjallë shpresat për mbijetesën. Një nga lojtarët e rëndësishëm në këtë takim ishte Silvio Zogaj. Nga këmbët e tij u “gatua” edhe goli i Grecës, që arriti ti jepte 3 pikët krutanëve. Përveç asistit përfekt që dhuroi për shokun e tij, Zogaj neutralizoi çdo sulm që vinte nga krahu i tij. Fitorja padiskutim meritë absolute e tij.
Victor Da SILVA (Partizani) – Da Silva ka marrë në dorë “frenat” e lokomotivës së Partizanit. Brailiani ka rilindur në ndeshjet e fundit, ku ka arritur të shënojë gola vendimtar. Derbi ishte prova e vërtetë e tij dhe arriti ta vendoste pikat mbi “i”. Goli i shënuar ndaj Tiranës mbrëmjen e djeshme ishte spektakolar, ndërsa ngriti peshë gjithë të kuqtë. Për fatin e tij të keq, ky gol nuk pati vlerën e 3 pikëve.
Luis KAÇORRI (Bylis) – Këtë javë sulmi i është besuar Kaçorrit. Ndaj Erzenit ishte i papërmbajtshëm. Shënoi dopietë për përmbysjen ndaj shijakasve dhe për t’i dhuruar ballshiotëve 3 pikë të rënëdësishme në një duel direkt për mbijetesën. Gjatë gjithë sfidës ishte një rrezik konstant për mbrojtjen shijakase, e cila u dorëzua ndaj këmbënguljes së tij. Ballshi ka vuajtur në ndeshjet e fundit për gola, teksa dygolëshi ndaj Erzenit mund ta ketë çliruar sulmuesin për 3 sfidat e mbetura.
Trajner: Orges Shehi (Tirana) – Derbi i kryeqytetit ishte ndeshja më e madhe e këtij sezonit që si e tillë duhej që gjithçka të përligjej në fushën e blertë. Tirana luante për dy rezultate, fitore dhe barazim, ndërsa bardheblutë kishin plot 5 mungesa ndaj Partizanit. Në të tilla raste del në pah puna e një trajneri se si do menaxhojë presionin dhe si do të motivojë lojtarët që vinin pas një humbje. Shehi arriti t’i bënte të gjitha, ndërtoi një formacion që edhe pse pa alternativa në stolin e rezervave ia doli të përballonte “furinë” e demave. Besoi deri në fund dhe padiskutim barazimi për të është si fitore. Titulli tashmë është i gjithi në dorën e tij, 3 ndeshje të tjera për të treguar se jo më kot është kampioni aktual i Superiores.
[caption id="attachment_693082" align="alignnone" width="402"] Formacioni me i mire i javes se 33-te[/caption]