
Në ndeshjen e fundit përballë Laçit, Tirana barazoi me rezultatin 2-2. Një barazim që kurbinasit ia ‘rrëmbyen’, duke marrë parasysh që pjesën e parë, ‘bardheblutë’ e mbyllën në avantazhin e dy golave.
Në një prononcim ekskluziv për Newsport.al është mbrojtësi i majtë i kryeqytetasve, Florian Përgjoni që flet për ndeshjen në Laç. Kujtojmë që Përgjoni nuk ishte as në pankinën e rezervave për shkak kartonësh. Përgjoni shprehet se ekipi u tregua i brishtë në pjesën e dytë ndaj kurbinasve, ndërsa për ndeshjen e ardhshme ndaj Vllaznisë thotë se do të hynë në fushë për të marrët pikët e plota.
“Ishte një ndeshje e parë nga një perspektivë ndryshe. Mendoj se djemtë në ndeshjen kundër Laçit bënë mirë në pjesën e parë. Ndërsa në pjesën e dytë u treguam më të brishtë gjë që na ka ndodhur shpesh këto ndeshjet e fundit.
Vllaznia? Ndeshja e së dielës është klasifikuar si Klasikja e futbollit shqiptar. Ekipi po përgatitet me stërvitje intensive për të hyrë në fushë në ndeshjen e fundjavës që të marrim pikët e plota.
Objektivat për këtë sezon janë të pandryshuara nga synimi që kemi çdo vit. Për të marrë maksimumin e garës së Superiores si dhe maksimumin e mundshëm në përballjet Europiane”, është shprehur Florian Përgjoni.