
Partizani ka fituar 3-0 me Bylis. Pas shtatë vitesh, Demat kanë triumfuar në kryeqytet me ballshiotët, që ishin kthyer në një "mace të zezë". Ndeshja ka folur për vendasit, që kanë shënuar pas 15 sekondash me Junior pas gafës së Qirkos.
Në të 69 minutë është kujdesur Asani që ndeshja të shkonte në 2-0, teksa Erald Çinari ka vulosur gjithçka në të 84 minutë. Partizani me këto tri pikë shkon në vendin e dytë me 47 pikë, po aq sa Vllaznia. Demat tanimë janë -2 nga Teuta kryesuese. Bylis "bie" në Tiranë pas shtatë vitesh, në ndeshjet kundër Partizanit.
Pas ndeshjes për Gol pas Goli, trajneri i Partizanit Ilir Daja tha:
"3 gola dhe shumë raste, ka më mirë? Më pëlqeu loja e grupit, në atë që quhet shpirti i skuadrës dhe sakrifica për të shkuar para në veprime taktike. Kthehemi te fitorja me një lojë bindëse, mund ta kishim bërë më shpejt 2-0. Më vjen mirë që shënuan Asani dhe Çinari. Funksionoi gjithë ekipi dhe nuk di kujt t'i jap merita.
Ferhan Hasani? Mungesa e tij s'ka të bëjë me stafin teknik, por nga dëmtimi që ka pasur. Ka 2 javë që stërvitet mirë me grupin. Problem nuk është shtimi i lojtarit, por nuk duam që të kthehet pas me dëmtim të ri. Pasataj problem nuk do jetë roli i tij, mund të luaj edhe në vend tjetër.
Mund edhe të ndëshkoheshit? Ballshi ka një ekip për t'u përshëndetur. Nuk është e lehtë fitorja me ta. Unë nuk e dija që kishim shtatë vite që nuk fitonim këtu me ata, më thanë në konferencë. Ata kanë forcë rinore dhe potencial të madh në fushë.
Kur krijon kaq shumë raste nuk më ngelet peng asgjë, vetëm një lloj pune më e fortë për finalizimet. Ajo që më kënaqi ishte fakti se lojtarët sot ishin altruistë dhe nuk donin ta zgjidhnin vetë situatën.
Nëse do ndërtosh fazën e sulmit nga poshtë, ka një risk në vetvete sepse të gjithë gabojnë si mbrojtësat dhe portieri. Nëse do këtë lojë ka shumë rrezik, të paktën nuk kemi gabuar në vazhdimësi. Sot është java e 27 dhe mbrojtësat nuk kanë bërë një gabim të tillë, është e pranueshme.
Titulli? Nuk duhet të bëjmë lojën që një fitore na çon te titulli dhe një barazim na lë pas. Ne do marrim ndeshjen e fundjavës me Kastriotin si grup dhe të krijojmë volum loje. Nuk na lejohen më barazime në këtë fazë të kampionatit.
Rivalët në fushë? Ekipi që na hap më shumë punë është ekipi i radhës që do jetë Kastrioti në fundjavën që vjen. Mungon mbase eksperienca dhe kualiteti nëse do mendojmë se e kemi të kaluar. Gazetarët thonë që nuk kemi rezultate pozitive, por me pesë vendet e para kemi pesë fitore dhe 2 barazime, kemi lënë pikë me ekipet poshtë.
Kalendari në fazën e 4? Nëpër stadiume mungojnë tifozët dhe kjo bën që nuk janë të vështira transfertat. Do bëjmë më të mirën e mundshme sepse mungon lojtari i 12 dhe çdo gjë bëhet e barabartë", tha Daja.