
E hëna sportive ka nisur ndryshe në Shqipëri. Në kuadër të javës së 15 të Kategorisë Superiore, rezervohet dueli më i bukur në vend. Ndeshja derbi mes Partizanit dhe Tiranës rikthehet sërish, këtë herë në një impiant modern siç është "Air Albania Stadium". I programuar për të premte më datë 13 dhjetor në orën 19:00, derbi i kryeqytetit siç njihet ndryshe, pritet të dhurojë spektakël jo vetëm në fushë. Të dyja ekipet vijnë nga pozicione dhe situata të ndryshme, por me një gjë të përbashkët; të dyja i kanë humbur ndeshjet respektive në javën e fundit të kampionatit.
Interesante është situata me statistikat ndër vite, me Partizanin që është superior karshi Tiranës. "Demat" që këtë vit drejtohen nga Franko Lerda kanë plot 26 fitore më shumë, duke dominuar vitet e fundit. Në total janë 66 fitore për Partizanin, 40 për Tiranën dhe 48 ndeshje kanë përfunduar në baraspeshë. Tirana ka shënuar 167 gola, kundrejt 217 të Partizanit. Ndeshja e fundit për këtë edicion mban datën 29 shtator 2019 dhe shihte Partizanin triumfues në "Selman Stërmasi" (1-2). Kujtojmë që shifrat më lart janë në të gjitha kompeticionet, prej vitit 1947 janë zhvilluar 154 përballje. E premtja do të tregojë shumë për ecurinë e dy ekipeve në këtë sezon.