Tirana arriti të shpallej kampione e Shqipërisë për sezonin 2022-2023 në basketboll për meshkuj. Një përmbysje e çmendur ndaj Besëlidhjes, ku lezhianët ishin në avantazh të dy sfidave.
Megjithatë skuadra e drejtuar nga Erkand Karaj shkëlqeu dhe përmbysi gjithçka deri në verdiktin final të përballjes së mbrëmshme në “Asllan Rusi”. Protagonist absolut jo vetëm në parket, por edhe jashtë tij, për ndikimin dhe klimën që krijon në skuadër, padyshim është Red Vogli.
Shtatlarti i ekipit bardheblu ka bërë një postim emocionues në rrjetet sociale duke i dedikuar disa rreshta të gjithë atyre që kontribuan në këtë sukses fantastik. Në fund, Vogli e mbyll me dashurinë e pakufijshme për këto dy ngjyra, me të cilat u lind dhe u rrit mes kryeqytetit. Në postimin e tij në Facebook, Vogli shkruante:
“Faleminderit Zot, Tirona kampione për sezonin 2022-2023. Faleminderit të gjithë tifozëve të Tiranës që na kanë mbështetur gjatë gjithë vitit dhe sidomos mo të fortë të Shqipërisë, “Tirona Fanatics”. Faleminderit çunave të ekipit për kontributin madhor, sakrificën dhe shpirtin luftarak, që djersijnë fanelën më të bukur në botë.
Faleminderit dy trajnerëve, Erkand Karaj dhe Onaldo Ago dhe stafit drejtues të KS Tirana me në krye drejtoreshën e palodhur, garipen Deborah Keçi. Faleminderit Bashkia Tirana dhe kryetarin Erion Veliaj për mbështetjen e vazhdueshme. Faleminderit sponsorave.
Me në krye Avni Ponarin që mbajtën një qëndrim asnjëanës në këto finale. Faleminderit familjes sime. Si kapiten i Tirona basket ju them se fanela e Tironës është mo e rondë se shpata e Skënderbeut. Me Tironën do të pushtojmë Europën! Kthehemi akoma dhe më të fortë në sezonin 2023-2024, Tirona do të jetë aty si gjithmonë kampione. Me respekt, njoni prej jush. Red Vogli 5”.
[caption id="attachment_691182" align="alignnone" width="743"] Postimi i Red Voglit[/caption]