Është vetëm 19 vjeç dhe vlerësohet si e ardhmja e portës kuqezi. Elhan Kastrati në një prononcim për newsport.al ka rrëfyer se si po i ecën karriera e tij futbollistike. Kastrati ka dalë nga akademia e Teutës, por tashmë ai luan në Itali me Pescarën e Memushajt dhe Manajt. Këtë sezon "gardiani" shqiptar është transferuar te Piacenza në formë huazimi, ndërkohë që është pjesë e kombëtares U-21.
- I lumtur që u transferove në Itali?
Për transferimin tim në itali jam shumë i lumtur sepse ishte një hap shumë i madh për karrierën time dhe tani u bënë tre vjet që jam këtu dhe më ka ndihmuar që të zhvillohem shumë.
- Sa të është dashur për të arritur deri këtu?
Normal që çdo gjo arrihet vetëm me punë dhe sakrifica dhe unë jam një ndër këto, që kam punuar shumë dhe kam sakrifikuar shumë që të arrij atje ku dua .
- Kush e realizoi transferimin?
Transferimi im u realizua nëpërmjet një profesori të Veronas që un vazhdova të mbaja kontakte mbas disa provave që dhashë atje .
- Cilat janë ambiciet?
Ambiciet e mia janë, që këtë sezon që jam transferuar për një vit në huazim tek Piacenza, të më ndihmojë shumë që të zhvillohem si portier dhe të marr eksperiencën e duhur, pasi ky është viti i parë qe do luaj me profesionistë dhe që vitin tjetër të kthehem i gatshëm për Pescaran.
- Pse zgjodhe të bëhesh portier?
Zgjodha portierin sepse më pëlqente shumë që i vogël të bëja këtë ,ndryshe nga ata që të vegjel kanë qef të bëjnë gola, unë doja të isha ai që ti ja mohoja këtë kënaqësi të tjerëve sepse ishte një kënaqësi e dyfishtë për mua .
- Cila ka qenë ëndrra jote?
Si cdo njeri tjetër, edhe unë kam ëndërr që në të ardhmen të përfaqësoj kombin tim dhe që një ditë të marr pjesë në kompeticionet më të rëndësishme për klube si Champions League.
- Cilit portier dëshiron t'i ngjash?
Nga çdo portier përpiqem të marr më të mirën sepse asnjë nuk është përfekt dhe për këtë me pëlqen të kem stilin tim në portë, por portieri që më pëlqen më shumë dhe që më inspiron më shumë, është Neuer.
- Kë zgjedh mes Rei Manaj dhe Ledian Memushaj?
Pavarësisht se jam miq me të dy, do zgjedhja Memushajn sepse është një punëtor i madh dhe ka arritur shumë. Ishte një ndër më të mirët në Europian, ndërsa Manaj ka akoma karrierën përpara dhe deri tani është në rrugën e duhur dhe shpresoj të vazhdojë kështu.
- E ëndërron kombëtaren?
Pa diskutim që çdo lojtar e ëndërron kombëtaren dhe shpresoj shumë që një ditë të jem edhe unë pjesë e saj.
- Ke ndonjë mesazh për Redi Jupin?
S'besoj të ketë nevojë për ndonjë mesazh timin sepse profesor Redi më njeh dhe herën e fundit isha edhe i grumbulluar prej tij, pastaj çdo mesazh që mund t'i japësh trajnerit është vetëm në fushë me rezultatet që arrin dhe nëpërmjet këtyre rezultateve do të vijë koha që do shpërblehesh dhe gjithçka ka kohën e vet .