
Futbolli shqiptar është sy e veshë te derbi i zjarrtë mes Tiranës dhe Partizanit, nesër në Air Albania në orën 19:00. Një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe të luftuara në futbollin shqiptar. Përballë vihen dy nga klubet më legjendare në vendin tonë dhe ku fitorja vlen më shumë se 3 pikë. Vlen për krenarinë e një qyteti, për moral dhe prestigj.
Një duel spektakolar pritet si në shkallët e stadiumit edhe në fushën e lojës. Një prej protagonistëve kryesorë të derbit ka qenë edhe ish-bomberi, Xhevahir Sukaj. Ky i fundit ka mbajtur veshur fanelën e kuqe, ndërsa Tirana ka qenë “gjahu” i preferuar i tij.
Në një intervistë për “Newsport.al”, Sukaj ka treguar emocionet që të dhuron një sfidë e tillë, ndërsa jep parashikimin për këtë derbi, padiskutim që sipas tij, Partizani do të triumfojë. Gjatë intervistës, 36-vjeçari nuk nguroi t’iu kujtojë bardhebluve momentin e errët kur ata ranë nga Kategoria dhe se në atë kohë Partizani fitoi 2-1 derbin ndaj tyre.
- Me çfarë po merret Sukaj momentalisht? Aktualisht jam i fokusuar te bizneset e mia. Po u kushtoj të gjithë vëmendjen që duan në mënyrë që të jenë ashtu siç duhet. Marshalla deri tani më kanë ecur shumë mirë (Qesh).
- A e keni ndjekur futbollin shqiptarë këtë sezon? Kampionatin shqiptar nuk e kam ndjekur shumë këtë vit, për shkak edhe të angazhimeve të mia personale. Kam ndjekur vetëm ndeshjet “vitrinë”, ato më kryesorët. Mesa kam arritur të shikoj, kam vënë re se Superiorja është bërë një kampionët shumë interesant.
- Si iu duket gara për titullin? Një garë e fortë dhe që premton të jetë e luftuar deri në fund. Mendoj se Partizani është një hap para ekiopeve të tjera. Të kuqtë janë më të konsoliduar dhe kam përshtypjen janë më të kompletuar se çdo ekip tjetër për titullin. Në këtë mënyrë shikoj Partizanin si lider deri në fund.
- Jemi vetëm 1 ditë para derbit Tirana – Partizani, si e shihni këtë përballje? Derbet mes Partizanit dhe Tiranës kanë qenë gjithmonë të luftuar dhe ndeshjet më të shumëpritura na të gjithë. Ka atmosferë fantastike dhe të këndshme që i shton bukurinë futbollit shqiptarë. Rivaliteti që këto dy ekipe kanë mes tyre e bën edhe më të bukur këtë sfidë. Stadiumi “Air Albania” gjithashtu e bën më të “zjarrtë”.
- Si një nga protagonistët e kësaj sfide, çfarë kujtimesh mund të ndani me ne? Siç e theksova më lart, derbet janë ndeshjet më të shumëpritura dhe ku emocionet janë të mëdha. Unë kam shumë kujtime në këto ndeshje, pasi kam luajtur thuajse në secilën prej tyre, teksa emocionet kanë qenë prezente. Nuk mund të them një moment, apo një tjetër pasi kam shënuar në çdo ndeshje dhe secila ka pasur specifikën e saj.
- Bardheblutë ishin “gjahu”i preferuar i juaji, cilin nga golat mund të veçoni? Sigurisht kam shumë gola që i kam shënuar kundër Tiranës si me fanelën e Partizanit ashtu edhe me të Vllaznisë. Si golin më të bukur do të zgjidhja atë me fanelën e Vllaznisë në “Loro Boriçi” në sfidën që përfundoi 2-2. Në atë sfidë unë shënova gol nga një distancë e largët.
- Derbi më i mirë? Ka shumë, por si derbin më të mirë mund të veçoj fitoren 2-1 ndaj Tiranës. Në atë vit Tirana ra nga Kategoria dhe për mua ky është derbi më i bukur dhe ku unë shënova golin vendimtar në fund. Ka qenë viti 2017, vit kur të gjithë tifozët e kuq dhe bardheblu e mbajnë mend akoma.
- Derbi i parë i sezonit është fituar nga Partizani, mendoni se demat do ta veshin sërish me ngjyrë të kuqe kryeqytetin? Derbet janë ndeshjet më të paparashikueshme. Luhet për 90-të minuta në fushën e lojës, por një episode mund të vendosë ndeshjen, një gjys goli mund t’i dhurojë njërës apo tjetrës fitoren. Por mendon se në këtë derbi forma momentale që po kalojnë ekipet do të jetë vendimtarë. Aktualisht Partizani renditet më lart dhe po kalon një moment të mirë dhe kjo sfidë anon nga të kuqtë dhe mendoj se Partizani fiton nesër.
- Sa do të jetë rezultati i ndeshjesh? Shkurt, sakt dhe pa gabime. Partizani do të fitojë 2-1 ndaj Tiranës.
- Sipas jush, kush mendoni se do të vendosë këtë derbi? Grupi do të jetë elementi kryesorë që do të vendosë në këtë sfidë. Cila skuadër të jetë më grup në fushën e lojës dhe që psikologjikisht e përballon më mirë një duel të tillë do të vendos në këtë derbi. Nuk mendoj se individët mund të jenë protagonist, pasi në sfida të tilla duhet kontributi i të gjithë skuadrës.
- Në stadium apo në Tv, ku do ta ndjekë Sukaj këtë sfidë? Aktualisht unë nuk ndodhem në Shqipëri. Jam në Arabi dhe po vazhdoj me ca projekte dhe punë të miat. Fatkeqësisht nuk mund ta shikoj këtë derbi, shpresoj atë të radhës ta ndjek.
- Tifozët “Ultras Guerrils” janë lojtari i 12-të i Partizanit, çfarë do t’iu thojë para një ndehsje të tilë? Padiskutim se tifozët janë lojtari i 12-të i çdo skuadre. Unë personalisht me tifozët e Partizanit kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer, ku kam pasur mbështetjen e tyre në çdo sfidë. Do iu thosha ta shikojmë këtë sfidë në këmbë dhe të mos ulen për asnjë moment, pasi janë mbështetja kryesorë për ekipin. Në ndeshje të nivelit të tillë, përkrahja ndaj futbollistëve është shumë, shumë e rëndësishme. /Floridona ADEMAJ/