Kukësi ka nisur fazën përgatitore në Maribor të Sllovenisë. Përpos miqësores, e cila është barazuar nga verilindorët me gola të Dvornekovic dhe Husinec, në skuadër kanë ardhur dhe dy prurje që janë në provë.

Eduard Husinec i datëlindjes 10 maj 1993, me kombësi kroate, është ish-futbollist i Lokomtivës së Zagrebit, ndërsa ka luajtur në sezonin e fundit me NK Lucko në Ligën e Dytë të futbollit kroat. Ai është i gjatë 1.89 metër dhe luan vetëm në pozicionin e qendërmbrojtësit. Lojtari i është bashkangjitur Kukësit dhe është në provë, teksa ka debutuar me gol.

Sven Jajcinovic është lojtari tjetër që u pa në miqësoren e Kukësit me NK Celje. Ai luan në pozicionin e mesfushorit të avancuar, pra fantazist. Është i datëlindjes 4 prill 1993, ka shënuar 3 gola në sezonin e fundit në Ligën e Dytë të futbollit kroat me Hrvatski Dragovoljac. Ndërsa ka luajtur si titullar në 30 takime me këtë ekip, nga i cili ka dalë dhe është rritur.

Veç këtyre dy lojtarëve, Kukësi pritet që të firmosë edhe me një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për një portier që gjithashtu është kroat. Kristijan Kahlina, i datëlindjes 24 korrik 1992. Sezonin e fundit ka luajtur në 11 takime me NK Coper në Slloveni. Ndërsa është “prodhim” i Dinamos së Zagrebit.