Kombëtarja e Kosovës po përgatitet që për herë të parë në historinë e saj të luajë në Eliminatoret e një kompeticioni ndërkombëtar, siç janë ato të Botërorit “Rusi 2018”. Ndeshja e parë e ekipit që drejtohet nga Albert Bunjaki është kundër Finlandës në transfertë më 5 shtator, ndërsa organika e skuadrës është shtuar së fundmi edhe me futbollistë që janë larguar nga ekipet kombëtare që përfaqësonin më parë, për t’iu bashkuar tashmë Kosovës.
Një rol kyç në bisedimet me lojtarët që dëshironin t’i bashkoheshin Kosovës ka pasur edhe menaxheri i përgjithshëm i ekipit kombëtar kosovar, Bajram Shala. Së bashku me trajnerin Bunjaki, ai ka udhëtuar në disa vende të Europës për të folur nga afër me lojtarët që tashmë do të përfaqësojnë Kosovën.
Në një intervistë ekskluzive për “Newsport.al”, Shala flet për strategjinë e ndjekur nga Federata e Futbollit të Kosovës në afrimin e futbollistëve kosovarë në ekip dhe për objektivat e skuadrës në Eliminatoret e “Rusi 2018” dhe më tej.
Menaxheri i Kombëtares së Kosovës ka prekur mbi të gjitha temën e largimit të disa lojtarëve nga Përfaqësuesja e Shqipërisë, e në veçanti me rastet e Rashicës, Shalës dhe Rrahmanit.
Sipas Shalës, lojtarët e sipërpërmendur kanë pasur një detyrim moral për të zgjedhur Kosovën, ndërsa nuk mendon se ky vendim i tyre ka ardhur për shkak se nuk u grumbulluan me kuqezinjtë në “Euro 2016”.
Tema të tjera të prekura në intervistën me menaxherin e Kombëtares së Kosovës kanë qenë edhe reagimet e ashpra dhe ofenduese të një pjese të madhe të tifozëve shqiptarë pas “eksodit kuqezi”, e ndër të tjera ka pranuar se tashmë është logjike që lojtarët kosovarë do të duhet të zgjedhin vetëm Kosovën.
-Si fillim, si ka qenë kjo periudhë për stafin e kombëtares së Kosovës, sa e ngarkuar apo e lodhshme?
-E ngarkuar jashtëzakonisht shumë. Organizime në të gjitha aspektet. Koha prej pranimit deri në start të ndeshjeve kualifikuese ka qenë tejet e shkurtër për t’u marrë me gjithçka që duhej, sidomos duke pasur parasysh një Federatë të vogël si kjo e jona.
-Keni pasur udhëtime të shumta nëpër Europë, biseda me lojtarë që pritet të veshin fanellën e përfaqësueses së Kosovës. Por, a kanë qenë të vështira tratativat për të bindur futbollistët që t’i bashkohen ekipit?
-Në fakt nuk do t’ i quaja të vështira. Strategjia jonë ka qenë e qartë, sepse kemi biseduar vetëm me ata lojtarë që kanë shprehur interes për të zgjedhur kombëtaren e Kosovës. Atyre u kemi prezantuar përtej pjesës emocionale dhe lidhjes me Kosovën, edhe projektin tonë sportiv, të ardhmen që mendojmë se do ta ketë përfaqësuesja jonë.
-E njëjta strategji është ndjekur edhe me Rashicën, Rrahmanin dhe Shalën?
-Ne nuk kemi bërë dallime te lojtarët, por në momentin që kemi pasur biseda konkrete me dikë, kemi vepruar ashtu siç e përmenda më sipër. U kemi prezantuar atyre synimet ku duam të shkojmë me ekipin përfaqësues dhe u kemi treguar rrugën e qartë sesi mendojmë të arrijmë objektivat tona.
-Mendoni se në rastet e Shalës, Rashicës dhe Rrahmanit që zgjodhën Kosovën, ka ndikuar fakti që nuk u grumbulluan në Europian me Shqipërinë?
-Të jem i sinqertë nuk besoj! Mendoj se ata futbollistë e kanë kuptuar qartë planin tonë sportiv si dhe në mënyrë konkrete, Rashica e Rrahmani e kanë ndjerë një lloj obligimi ndaj vendit ku janë rritur në çdo aspekt. Mirëpo, besoj që më e rëndësishme për vendimin e tyre ka qenë fakti se si ata e shohin Kosovën tashmë, por edhe se si e shohim ne të ardhmen!
-Pra, besoni se, edhe nëse do të grumbulloheshin në Europian do të kishin detyrimin për të zgjedhur Kosovën?
-Ne nuk detyrojmë asnjë lojtar. Por unë fola për atë që mund të ketë ndjerë dikush. Nuk e kuptoj pse kjo gjë iu duket shumë njerëzve aq e palogjikshme! Shqipëria për vite me radhë i ka quajtur tradhtarë të gjithë ata që janë lindur në vende të ndryshme të Europës e që nuk kanë qenë kurrë në jetën e tyre në Shqipëri dhe kanë vendosur të luajnë në përfaqësueset e tjera. U është dukur jo normal ky vendim i tyre, kurse tani u duket po i tillë që një lojtar i lindur e i rritur në Kosovë në çdo aspekt, vendos të luajë për Kosovën.
-Si i keni pritur reagimet e fundit të tifozëve shqiptarë për zgjedhjen që kanë bërë lojtarët për t’iu bashkuar Kosovës duke lënë Kombëtaren kuqezi?
-Ata njerëz që shajnë dhe ofendojnë këta futbollistë, janë pikërisht njerëzit që krijojnë përçarje. Nëse jemi “Një”, jemi të barabartë dhe atëherë është zgjedhje e secilit se kë të përfaqësojë! Secili ka të drejtë të marrë vendimin e tij, sipas mënyrës se si e logjikojnë ata vetë. Për mua është shumë logjike që një futbollist i lindur, i rritur në Kosovë të kërkojë të luajë për Kosovën! Fjala bie, si do të reagonte opinioni në Shqipëri, nëse e marr si shembull, Jahmir Hyka do të zgjidhte të luante për Kosovën?!
–Çfarë mendoni se i ka shtyrë për t’u larguar nga Shqipëria dhe të zgjedhin Kosovën?
-Ata futbollistë i janë mirënjohës Shqipërisë për faktin që kanë luajtur në Kombëtaren kuqezi, për të cilën kanë dhënë maksimumin e tyre. Por tani, në mënyrë logjike kanë vendosur të luajnë për Kosovën për dy arsye: Faktin e cekur më lartë se janë rritur në Kosovë jo vetëm si njerëz, por edhe si futbollistë, por edhe për atë se janë ndjerë vërtetë të tërhequr nga projekti ynë sportiv dhe nga plani ynë zhvillimor!
-Jeni në bisedime me të tjerë futbollistë që luajnë për Shqipërinë për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit me ekipin përfaqësues të Kosovës?
-Federata e Kosovës, asnjëherë nuk ka penguar asnjë futbollist për të luajtur për Shqipërinë, madje deri në këto momente, vetëm sa i ka shtyrë ata t’i bashkohen Shqipërisë. Por, tashmë jemi në një situatë të re. Mos të harrojmë faktin se Kosova ka shumë nevojë për prezantim. Sporti e përkatësisht futbolli është një mënyrë e mirë për të prezantuar një vend. Prandaj, ne të gjithë së bashku duhet t’i përgëzojmë këta futbollistë që kanë vendosur ta prezantojnë Kosovën!
-A do ketë të tjera largime nga Shqipëria drejt Kosovës?
-Tashmë kanë mbetur edhe pak ditë deri në startin e Eliminatoreve dhe është shumë vonë që të kemi të tjerë futbollistë që do të nisin procedurat për të luajtur me Kosovën që nga 5 Shtatori.
-Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Valon Behrami, mendoni se janë të interesuar për të zgjedhur Kosovën dhe a do të jenë pjesë e ekipit përfaqësues të vendit të tyre?
-E thashë që tashmë do të jetë shumë vështirë të kemi futbollistë që do të nisin procedurat për të luajtur për Kosovën më 5 shtator, sepse ka shumë pak kohë!
-Ka biseduar Federata e Kosovës me homologët e saj në FSHF mbi zhvillimet e fundit dhe a është diskutuar çështja e atij që është quajtur “eksodi kuqezi drejt Kosovës”?
-Po, ka pasur më herët një takim ndërmjet krerëve të Federatave, presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri kreut të FSHF-së, Armand Duka. Por se për çfarë është diskutuar konkretisht, unë nuk kam informacione.
-Ka pasur lojtarë që e kanë refuzuar mundësinë për të luajtur me Kosovën?
-E thashë që ne kemi hyrë në bisedime konkrete me lojtarë, vetëm pasi e kemi kuptuar interesin e tyre për të luajtur me ne. Prandaj nuk besoj që ka pasur lojtarë, të cilët pasi kanë hyrë në bisedime nuk kanë pranuar të luajnë për Kosovën!
-Pra, futbollistët që i janë bashkuar së fundmi Kosovës, kanë dhënë të parët sinjale, pra kanë kontaktuar ata FFK-në?
-Para se të bisedonim me ta, nëse do të vinin ose jo, kemi pasur informacione për planet e tyre.
-Gjithsesi ka edhe nga ata tifozë shqiptarë të Kosovës që vazhdojnë të jenë të mendimit se ka vetëm një Kombëtare dhe ajo është përfaqësuesja e Shqipërisë. Cili është mesazhi juaj për ta?
-Ne respektojmë mendimin e secilit! Jemi të vetëdijshëm se lidhja e Kosovës me Shqipërinë është jashtëzakonisht e fuqishme! Ne asnjëherë nuk kemi pretenduar e as nuk pretendojmë të ndërhyjmë në këtë lidhje, sepse do të ishte diçka jo normale! Nuk e di pse po krijohet një bindje që, nëse je me Kosovën je kundër Shqipërisë, apo anasjelltas. Ky nuk është qëllimi ynë e as fryma në të cilën ne punojmë. Prandaj ne e respektojmë mendimin e secilit për ta përkrahur Kombëtaren Shqiptare, e po ashtu edhe ne jemi përkrahës të saj në forma të ndryshme!
-Tashmë që Kombëtarja e Kosovës ka marrë statusin si anëtare e njohur nga FIFA dhe UEFA, mendoni se në të ardhmen do të ketë një ndarje të pashmangshme, ku lojtarët nga Kosova do zgjedhin vetëm Kosovën e jo më Shqipërinë?
-Nuk e di çfarë do të sjellë e ardhmja. Por nëse flasim për logjikë, më duket alogjike të mendohet e kundërta, deri sa të ketë një bashkim të vërtetë! Përderisa jemi dy shtete dhe kemi dy Federata Futbolli, nuk e di pse duhet të mendojmë të kundërtën e asaj qe e keni shkruar në këtë pyetje. Nëse marrim analogji të thjeshtë, pse austriakët nuk luajnë për Gjermaninë?!
-Sa larg mund të shkojë kombëtarja e Kosovës në këto kualifikuese dhe cilat janë projektet e FFK-së?
-Kosova në këto Eliminatore synon që nga një grumbull lojtarësh të krijojë një ekip të vërtetë. Synojmë një përfaqësim sa më të mirë të mundshëm, por pa presion, gjithnjë duke pasur parasysh që mund të befasojmë këdo prej kundërshtarëve. Të mos harrojmë që nga pesë kundërshtarët që kemi në grup, katër ishin në Europian, kështu që është një grup tepër i fortë. Në të ardhmen, synojmë që nga ky grup lojtarësh të marrim maksimumin e që do të ishte mbase kualifikimi në Europianin e vitit 2020. Por deri atëherë duhet të presim dhe të shohim sesi do të rrjedhin ngjarjet. Nuk mund të bëjmë parashikime për atë se çfarë do ndodhë pas dy vjetësh.