
Rezultatet e dobëta të Dinamos kanë trazuar ndjeshëm ambientin në kampin dinamovit. Burime të besueshme pranë klubit kryeqytetas bëjnë me dije për Newsport.al që Nevil Dede është drejt largimit. 3 ndeshje pa fituar, 2 humbje në takimet e fundit janë shumë për një ekip si Dinamo që pretendon rikthimin në Superiore.
Të njëjtat burime tregojnë se ka disa emra në tryezë për të marrë drejtimin e 18 herë kampionëve të Shqipërisë. Një ndër ta është trajneri i njohur, Skënder Gega. Tekniku i njohur shihet si i duhuri për të qenë në krye të dinamovitëve. Megjithatë duhet theksuar se ende nuk ka asgjë zyrtare.
Eksperienca e tij në kampionatin shqiptar dhe lidhja që ka me kryeqytetin padyshim mund të rikthejnë klimën e duhur në kampin dinamovit. Kujtojmë që Skënder Gega arriti të shkruante historinë 4 vite më parë duke rikthyer pas 26 vitesh titulliun kampion te Partizani. Edhe pse të kuqtë kishin krijuar një ekip jo me shumë pretendime, në fund ishin ata që ngritën trofeun e kampionit. /Newsport.al/