Fitorja 2-0 e Meksikës ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Botërorit 2026 nuk solli vetëm spektakël dhe tre pikët e para të turneut. Sfida e zhvilluar në stadiumin legjendar “Azteca” hyri në histori edhe për disa rekorde dhe statistika të veçanta, që e bënë startin e këtij Botërori edhe më të paharrueshëm.
Ndeshja hapëse u përsërit pas 16 vitesh
Meksika dhe Afrika e Jugut u përballën sërish në ndeshjen hapëse të Botërorit, pasi kishin luajtur edhe në startin e edicionit 2010. Është hera e parë në histori që e njëjta përballje hap dy Botërorë të ndryshëm.
“Azteca” vendosi një rekord historik
Stadiumi legjendar i Mexico City priti ndeshjen e 20-të të Kupës së Botës në historinë e tij, më shumë se çdo impiant tjetër në botë.
Meksika, rekord pa fituar trofeun
Meksikanët regjistruan pjesëmarrjen e 18-të në një Botëror, rekord për zonën CONCACAF. Ata mbeten gjithashtu kombëtarja me më shumë ndeshje të luajtura në histori të turneut pa fituar Kupën e Botës.
Gilberto Mora hyn në histori
Talenti meksikan u bë futbollisti i parë i lindur pas finales së Botërorit 2006 që aktivizohet në një ndeshje të Kupës së Botës.
Tre kartonë të kuq në një ndeshje
Arbitri nxori tre kartonë të kuq, duke bërë që ndeshja të kishte më shumë përjashtime sesa gola. Afrika e Jugut u bë skuadra e parë që merr dy kartonë të kuq në një ndeshje Botërori që nga Portugali–Holandë në vitin 2006.
