E ardhmja e kapitenit të Kombëtares, Lorik Canës, është bërë objekt diskutimi, jo vetëm për hamendësimet për një tërheqje të tij nga futbolli i luajtur, por edhe për ofertat e shumta që dalin çdo ditë për të. Një nga ofertat e fundit ishte ajo e AEK-ut të Athinës, por newsport.al mëson se pak kohë më parë lideri i kuqezinjve ka refuzuar një superofertë të ekipit më të madh grek, Olimpiakosit. Dhe kur ka refuzuar Olimpiakosin, nuk bëhet fjalë që Cana të pranojë ofertën e AEK-ut. Arsyeja është se kapiteni i kuqezinjve, i cili luajti sezonin e fundit me Nantën në Francë, nuk i ka fare qejf grekët dhe nuk dëshiron që sezonin ndoshta të fundit të karrierës së tij ta kalojë në një vend dhe një kampionat antipatik për të. Burime pranë newsport.al bëjnë me dije se oferta e Olimpiakosit ishte rreth 2 milionë euro, por Cana nuk e pranuar, pasi ka plane të tjera.
ZVICRA - Një tjetër ofertë e hedhur poshtë nga Lorik Cana është ajo që i ka ardhur nga kampionati zviceran, nga Losana, ku ka hedhur edhe hapat e parë të karrierës.
PUSHIMET - Futbollisti i Kombëtares është duke shijuar pushimet këto me familjen e tij dhe vendimin për ekipin e ri do ta marrë pas tyre. Cana ka zgjedhur plazhet e bukura në Casis të Francës për t'u relaksuar këto ditë, pas angazhimit me Kombëtaren në Euro 2016.