
Kombëtarja shqiptare luan sot një ‘finale’ për të realizuar ëndrrën e kualifikimit në Euro 2024. Shqipëria pret Çekinë në ‘Air Albania’ në orën 20:45 dhe nga pas do të ketë 22.500 tifozë, por milionë të tjera nga ekrani.
Në prag të ndeshjes, trajneri i njohur dhe specialisti i futbollit, Nevil Dede, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Newsport.al. Dede është shumë i sigurtë te kualifikimi në Gjermani ndërsa beson se kkjo nuk do të jetë arritja e fundit e Kombëtares pasi do të ketë të tjera në vazhdim.
Jemi shumë pranë ripërsëritjes së kualifikimit. Cilën periudhë do të veçonit, atë të De Biasit apo Sylvinhos?
Çdo periudhë e suksesshme ka të vërtetat e saj brenda dhe nuk mund të veçosh asnjërën. Secili në momente të caktuara ka bërë sukses siç bëri De Biasi në 2016-tën. Ne jemi entuziast për kohën që jetojmë dhe përjetimi i kësaj kombëtarje tani dhe puna e Sylvinhos që po i merr maksimumin, po shfaqen cilësitë individuale, por edhe të grupit. Një bravo e madhe për De Biasin në 2016 me meritat e tij, një bravo tjetër e madhe edhe për punën që po bën Sylvinho.
Sa janë shanset reale për kualifikim që në mbrëmjen e sotme?
Mendoj që shanset janë 100% për ne të kualifikohemi, është pak euforike, por kam bindjet që për vetë faktin që energjia pozitive që na rrethon dhe besimi i gjithë popullit jo vetëm i lojtarëve, stafit apo FSHF-së. Jam 100% i bindur!
Sa shumë dilema për Sylvinhon. Ju jeni vetë trajner, si përgatitet ekipi për një eveniment të tillë?
Shumë dilema në kokë për të bërë më të mirën sepse është momenti që duhet të bëjë më të mirën. Unë besoj që ndeshjet gjithmonë në mënyrën më të mirë të mundshme nga çdo trajner, por pastaj interpretimi i lojtarëve, përjetimi i tyre apo edhe ndjesitë mund të bëjnë diferencën në fund fare, por gjithmonë ndeshjet përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme, gjithmonë.
Balotazhe nga porta e deri në sulm. Berisha apo Strakosha po e bëjnë me rradhë. A duhet gjetur një zgjidhje përfundimtare?
Nuk mund të jap një përgjigje për këtë pasi nuk është etike. Në futboll secili ka mendimin e tyre dhe të gjithë kanë të drejtë. Diferencën e bën ai që humb dhe ai që fiton. Kemi 2 portierë shumë të mirë dhe kjo është e rëndësishme, por kemi edhe çuna të tjerë të rinj të perspektivës apo edhe ata që presin rradhën e janë gati. Rëndësi ka që ka alternativa dhe kjo është më e rëndësishmja.
Mungesa e Ismajlit është një humbje e madhe, ka balotazh mes Ajetit dhe Mihajt. Forma e Ajetit është premtuese ndërsa fiziku i Mihajt bëri mjaft mirë në ndeshjen e parë me Poloninë. Një tjetër opsion shihet tërheqja e Gjasulës mbrapa…
Në futboll mungesa ka për formë jo të mirë të lojtarëve apo mungesa shëndetësore, e rëndësishme është që ne kemi mundësi zgjedhjesh dhe alternativa. Grupi i lojtarëve është i madh dhe shumë i talentuar. Besoj që Sylvinho do të gjejë njeriun e duhur, pa përmendur emra, që të bëjë një lojë të mirë. Do të gjejë personin e duhur, për ta vendour në vendin e duhur, në ndeshjen e duhur.
Luks zgjedhjes në repartin e sulmit. Nga talenti i Muçit e Brojës, te golat e Dakut e deri tek eksperienca e Cikalleshit. ‘Hall’ apo fat për Sylvinhon?
Çdo njeri meriton të luaj në Kombëtare, si Muçi, ashtu edhe Uzuni e Cikalleshi, Broja poashtu pavarësisht se ka disa probleme. E rëndësishme është që ne kemi mundësi emrash, zgjedhjes, numrash, por edhe mundësi reale për të bërë mirë çdokush që futet në fushë.
Shiriti i kapitenit shkon nga njëri krah në tjetrin. A ka ky ekip liderin “Cana” apo do të vazhdojmë në këtë mënyrë?
Shiriti i kapitenit nuk është thjeshtë një copë shiriti në krah, nuk të bën ai lider. Lideri lind dhe komandon vetë grupin, grupi merr komanda vetë vetëm nga tonaliteti, zëri apo vështrimi i liderit, kjo është e rëndësishmja.
Tani nuk kemi nevojë për të përcaktuar liderin, e rëndësishme është të jemi të gjithë për një qëllim. Forca e grupit është më e rëndësishmja në një sport kolektiv siç është futbolli.
Keni gjetur nje biletë apo do të jeni në koment ose në studio?
Unë biletën e kam në shpirt dhe jam gjithmonë atje, pavarësisht se ku e shoh. Mund ta shoh nga kati i dytë, i tretë, nga televizori. Mendoj që çdo shqiptar e ka biletën në shpirt e zemër dhe po pret me padurim ta shijojë.
11- Mesazhi juaj për Kombëtaren dhe tifozët në prag të sfidës?
Është një ndeshje futbolli, një eveniment që ne do e arrijmë Gjermaninë, por do ta përjetojmë edhe në të ardhmen. Nuk do të jetë as e para, as e fundit.
Ne po projektojmë e po bëjmë një punë kolosale, gjithë komuniteti i futbollit nga akademia deri te FSHF dhe organizimi po rritet kudo si në infrastrukturë, por edhe në burime njerëzore. Projeksioni për Shqipërinë do të jetë gjithmonë vetëm i suksesshëm në të ardhmen.
//Gledi FEJZA