Bakaray Goudiaby mund të jetë largimi i radhës nga Dinamo. “Newsport.al” mëson se mesfushori 24-vjeçar nuk është bashkuar me pjesën tjetër të ekipit për fazën përgatitore, duke krijuar “mirazhet” e një largimi.
Edhe pse titullari absolut i Ilir Dajës është në kontratë me dinamovitët, Goudiaby ka zgjedhur që mos të bashkohet me skuadrën.
Një vendim që ka shtangur jo pak drejtuesit kryeqytetas. Edhe pse largimi nga “Nëndetësja” nuk është i kryer, vështirë që e ardhmja të marrë një tjetër kthesë, duke parë situatën aktuale.
Kujtojmë se senegalezi u bashkua me Dinamon në shtator të vitit 2023, si një transferim i lirë pasi ishte pa kontratë. Më herët, ai është aktivizuar në Senegal me ekipe si Stade Mbour dhe Teungueth FC.
Ndërsa me ekipin e Dinamos, Goudiaby ka një total prej 95 ndeshjesh, gjatë të cilave ka shënuar 2 gola e ka asistuar në 3 të tjerë.
