
“Erdha te Teuta për titullin kampion”, këto ishin fjalët e para të sulmuesit të durrsakëve, Ide Gomes Kolubali që u afrua me bujë te “Djemtë e Detit” në merkaton e dimrit. Por, aventura e shtatlartit nuk ka zgjatur shumë te durrsakët, pasi burime të besueshme për newsport.al bëjnë me dije që gjiganti i sulmit është larguar nga Superiorja.
Ndërsa skuadra e drejtuar nga Edi Martini pret të zbresë në fushë, Gomes ka mbyllur aventurën me Teutën dhe është larguar drejt vendlindjes së tij. 26-vjeçari ra në sy për shtatlartësinë e tij, por në asnjë moment nuk u shndërrua në rrezik për kundërshtarët.
Ndaj, palët kanë zgjedhur që marrëveshja mes tyre të përfundojë këtu. Bëhet me dije që prej disa ditësh shtatlarti është larguar nga Shqipëria. Ai u aktivizua vetëm në 8 ndeshje me Teutën, 6 prej të cilave i nisi si titullar. Në 449 minuta të luajtura arriti të realizonte vetëm 1 gol. /Retin TOKA/