Është larguar prej 6 vitesh nga Shqipëria dhe për të nuk u mor më vesh asgjë. Skerdi Bejzade, ish-sulmuesi i njohur i Superiores jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij. Në një rrëfim ekskluziv për newsport.al, 43-vjeçari ka treguar jetën e tij pas largimit nga Shqipëria. Emocionet nuk mund t'i shmangë teksa kujton me nostalgji fushën e blertë.
Ai flet pa "doreza", analizon shkurtimisht Superioren me aq njohuri sa ka. E në fund? Sigurisht nuk mund të mungojë një përshëndetje e ngrohtë për tifozët shkodranë, elbasanas dhe ata të Partizanit që për vite me radhë e kanë mbështetur në shkallët e stadiumit. I njohur me nofkën "Arusha", Bejzade nuk harron të komentojë edhe mungesën e Dinamos apo të Tiranës në Superiores. Këto e shumë të tjera, mund t'i lexoni në intervistën e mëposhtme.
- Jeni larguar prej shumë vitesh nga Shqipëria. Ka pasur shumë aludime, por a mund të na zbuloni se çfarë ka ndodhur me ju?
Prej 6 vitesh, jetoj me familjen time në Gjermani. Vendimi për të ardhur këtej kishte një sërë arsyesh, por më kryesorja e ardhmja e fëmijëve të mi. Siç e dinë të gjithë, kushtet këtu në Gjermani janë shumë herë më ndryshe si në Shqipëri. Faktori kryesor që më shtyu të lija Shqipërinë, ishte e ardhmja e fëmijëve.
- Me çfarë merresh që prej kohës që je larguar nga vendi ynë?
Kam arritur të krijoj në Gjermani një skuadër moshash. Jam trajner i tyre dhe i stërvis çdo ditë. Jam i kënaqur me punën që bëj, pasi futbolli është pasioni im.
- Pas largimit nga Shqipëria, a e keni ndjekur kampionatin tonë?
Ç'është e vërteta nuk është se jam në dijeni të asaj çfarë ndodh 100 përqind. Koha këtu është e limituar, por edhe 6 vite larg nuk janë pak. Kujtoj me nostalgji vitet e mia kur luaja futboll dhe asokohe "Qemal Stafa", "Ruzhdi Bizhuta" apo edhe "Loro Boriçi" ishin plot e përplot me tifozë. Për sa i përket kampionatit të këtij sezoni, mendoj se Skënderbeu dukshëm dominon. Është ekip shumë i fortë. Meritat i ka presidenca që e ka menaxhuar shumë mirë skuadrën. Partizani nuk është aty ku duhej të ishte. Mendoj se afrimet e bëra në merkaton e verës kanë qenë të studiuara jo mirë. Çalon në mbrojtje dhe shumë në sulm.
- Partizani ra nga Kategoria. Dinamo po ashtu. Elbasani në Kategorinë e Dytë e së fundmi edhe Tirana pati të njëjtin fat si dy skuadrat e tjera të kryeqytetit. Si një "ish" që i ke dhënë shumë Superligës, si e shikon këtë situatë?
Janë të vërteta të gjitha këto që the më lart. Është shumë e vërtetë që kampionatit i mungon Tirona dhe Dinamo. Janë skuadra që kanë bërë histori. Megjithatë brezi im dhe parardhësit tanë ia dinë vlerën më mirë. Mendoj dhe shpresoj që shumë shpejt të dy këto ekipe do të jenë aty ku i takon.
- Pas largimit nga Shqipëria, ke mbajtur kontakte me ish-shokë skuadre?
Sigurisht! Kontaket i kam mbajtur dhe i kam shumë të mira me Sokol Ishkën, Erjon Xhafën, Ardit Beqirin e me shumë të tjerë që kam luajtur. Falë rrejteve sociale, tashmë shkruhemi me njëri-tjetrin.
- Cilat janë kujtimet më të bukura nga karriera jote si ish-futbollist?
Kujtimet janë të shumta. Por, dua të veçoj që kujtimi më i bukur është marrja e Kupës së Republikës me Partizanin dhe titulli kampion me Elbasanin.
- Po më të këqijat?
Pse duhet ta prishim këtë intervistë të bukur? (Qesh)
- Më lart përmendet që keni kontakte me ish-futbollistë apo lojtarë aktualë. Po me presidentët që ke punuar si i ke marrëdhëniet?
Kam marrëdhënia shumë të mira me disa presidentë klubesh që kanë kontribuar shumë në futbollin shqiptar. Ish-presidenti i Partizanit, Albert Xhani, Arben Laze dhe Naim Qarri gjithmonë më shkruajnë ose i shkruaj. Dua të veçoj Qarrin që ka bërë një punë të mirë me Kamzën.
- Edhe dy të tjerët kanë bërë një punë të mrekullueshme kur ishin në krye të Partizanit dhe Elbasanit. Pse veçoni pikërisht Qarrin?
(Qesh) Përmenda Qarrin për vetë formën që po kalon tashmë skuadra e Kamzës. Po ecën mjaft mirë. Është punë e mirë e presidencës, kryetarit të bashkisë dhe veçanërisht e trajnerit.
- Futbolli duket se do ta keni traditë familjare. Në hulumtimet e mia pashë që djali juaj, Aiseldi, ka nisur rrugën e futbollit....
Djali ka nisur të luajë futboll që në moshën 5-vjeçare. Tani në mars mbush 9-vjeç dhe mendoj se po ecën shumë mirë. Talent ka, por më e rëndësishmja është dëshira dhe koha që ai i dedikon futbollit. Megjithatë ne që kemi prekur vetë fushën dhe topin, që të bëhesh lojtar i mirë është një rrugë e gjatë. Normalisht këtu kushtet janë të gjitha. Me pak fjalë nuk i mungon asgjë. Por, mbi të gjitha në futboll duhet shumë fat e mos të ketë dëmtime.
- Skerdi, a e mendoni rikthimin në Shqipëri?
Sigurisht që e mendojmë kthimin. Ndonjëherë më duket si e parealizueshme për faktin se fëmijët këtu po krijojnë bazat dhe e ardhmja e tyre është krejt ndryshe nga Shqipëria.
- Duke qenë se ke munguar për shumë vite jo vetëm fizikisht, por edhe në media. A ke diçka për t'i thënë të gjithë ish-kolegëve të tu, profesorëve që ke punuar, por veçanërisht edhe tifozëve?
Meqenëse ti i veçove tifozët, po i veçoj edhe unë. (Qesh) Përshëndes të gjithë mbështetësit e Partizanit, Elbasanit dhe Shkodrës. Janë tifozët më të mirë në Shqipëri dhe që e kanë ndjekur skuadrën e tyre me shpirt e me zemër hap pas hapi. Ndërsa për sa i përket ish-kolegëve (që tanimë disa prej tyre kanë nisur trajningun) dhe ish-profesorëve të mi, dua t'i uroj vetëm suksese.
- Një përgjigje të sinqertë. Sa i mungon "Arushës" fusha e blertë e Shqipërisë? Ndonjëherë kishte edhe baltë, mos ta mohojmë...
(Qesh) Ato kanë qenë vitet më të bukura të karrierës futbollistike që zënë një vend të veçantë në jetën time. Sigurisht që më mungojnë shumë. Më mungon çdo gjë. Ato vite i kujtoj me nostalgji. Si për të shuar disi mallin, çdo të diel shkoj dhe luaj kalçeto me miqtë e mi. Futbolli është dhe mbetet pasioni im.
- Ju falënderoj që pranove të ishe pjesë e Newsport-it në këtë rrëfim të veçantë Skerdi!
Ju falënderoj ju dhe uroj që të ecni sa më lart në këtë rrugë të bukur që keni nisur. Falë medias online dhe veçanërisht ju, jemi në dijeni të asaj se çfarë ndodh në Shqipëri. Respekte! Ju përshëndes nga Gjermania! /Retin TOKA/
