
Klasikja e Shqipërisë Vllaznia – Tirana ka marrë vëmendjen e të gjithëve disa ditë para takimit. Të shtunën, shkodranët do të përballen me të bardheblutë, sfidë e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Kjo sfidë është e rëndësishme për të dy skuadrat, megjithatë edhe Partizani ka interes të madh për të mësuar se si do të përfundojë kjo përballje.
Një fitore e Tiranës do t’i jepte një shtysë të madhe bardhebluve drejt titullit kampion. Ndërsa një triumf i shkodranëve do t’i shërbente Partizanit që të vijojë shpresën te trofeu, sigurisht nëse ndaj Bylisit do të arrijë të marrë 3 pikët.
Duhet thënë që për skuadrën e Sedloskit kjo ndeshje është e rëndësishme për të arritur zonën europiane. Me një Egnatia në superformë, kuqebluve nuk u lejohet më një hap fals. Pritet të shihet se çdo të ndodhë, me ndeshjen e programuar të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 18:00.
Kujtojmë që dy vite më parë, ishte Vllaznia e Brdariç që i mohonte titullin kampion Partizanit pas fitores në stadiumin “Air Albania” me penallti të Herald Markut.