
Vendimi i para dy javëve i Komisionit të Disiplinës "masakroi" klubin e Tiranës, konkretisht Akademinë bardheblu. Dënimet nga organi i drejtësisë sportive ishin të shumta, ndërsa në sy ndër të tjera ra Bajram Vrapi. Zyrtari i Akademisë së Tiranës, si menaxher i të rinjve, ishte protagonist në ndeshjen ndaj Shënkollit, duke sulmuar delegatin e ndeshjes.
Pikërisht për këtë Komisioni i Disiplinës nuk ka falur por e ka dënuar plot 18 muaj pezullim nga aktiviteti futbollistik. Praktikisht për 1 vit e gjysmë, atij i lejohet vetëm të bëjë "sehir" nga shkallët e tribunës. Në një moment kur zyrtari i klubit duhet të jetë shembull për "filizat" e reja të skuadrës, ndodh edhe kështu. Grushtat ndaj delegatit të ndeshjes të bëjnë me "muskuj" në atë moment, por të "lidhin" për një kohë të gjatë jashtë derës së Akademisë.
Ja dënimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës:
Zyrtari i KF Tirana U-17, Bajram Vrapi, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS dënohet me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj pezullim nga aktiviteti futbollistik.