
Fantazisti i Korabit, Nderim Nexhipi, i cili mbart mbi supe karrierë me klube të njohur të arenës Europiane por edhe asaj shqiptare është i bindur se Korabi do të dalë nga ngërçi dhe do të gjejë shumë shpejt pikët. Ai bën një analizë të përgjithshme të ndeshjeve të luajtura së fundmi, ku pohon se fati nuk ka qenë me ta.
"Në tre ndeshjet e para kemi menduar që të kemi më tepër pikë, por futbolli është ky. Për fat të keq pas tre ndeshjesh ne kemi vetëm një pikë, por ky është vetëm fillimi i kampionatit. Mbeten shumë ndeshje të tjera për t'u luajtur dhe shumë pikë të tjera për t'u fituar. Në jemi në rrugën e duhur, por me pak më tepër fat ne do të marrim pikët".
Më tej Nderim Nexhipi i del në krah Sebino Plakut, ku tregon se këmbëshpejti krijon raste, por edhe atij i mungon fati në finalizim. "Në majë të sulmit kemi një lojtar si Sebino, i cili krijon raste, por fatin nuk e ka pasur me vete në dy ndeshjet e fundit. Pritet një zhbllokim i tij dhe i gjithë ekipit, sepse është një ngërç. Besoj se në ndeshjet e radhës do të jetë më mirë sepse do të shënojmë dhe do të arrijmë fitoret".
Takimi i radhës për dibranët do të luhet këtë të shtunë kundër Vllaznisë, ndërsa skuadra vuan presionin e humbjes me gjirokastritët, por që pritet që kjo gjendje të kalojë shpejtë dhe skuadra të reagojë. "Ne nuk kemi pasur fat, por në futboll shumë shpejtë ndërrohen gjërat dhe ne do të reagojmë. Ne shpresonim që me Luftëtarin të merrnim tri pikët e para në kampionat, por kjo gjë nuk ndodhi. Tani do të shohim ndeshjen e radhës, është Vllaznia që vjen në Tiranë dhe jemi të gjithë të mobilizuar dhe e dimë se çfarë do të thotë një fitore për ne. Besojmë se do të jetë ndeshja e kthesës. Të gjithë lojtarët që do të jenë në fushë në këtë ndeshje do të japin maksimumin ndaj Vllaznisë dhe do të bëjmë të pamundurën që të arrijmë fitoren", përfundon 32-vjeçari i lindur në Shkup.