Egnatia dhe Dinamo kanë humbur shumë “terren” javët e fundit. Kjo pasi ekipet nuk ia kanë dalë dot të sigurojën rezultatet pozitive, duke bërë që të shkëputen nga kreu.
Prej 5 ndeshjesh kampionët aktualë dhe dinamovitët kanë vetëm 1 fitore, 2 barazime dhe po kaq humbje. Në total vetëm 5 pikë në 5 ndeshje kanë futur ekipet në një “krizë”, ku kërkohet menjëherë reagimi që në sfidat e ardhshme.
Aktualisht ekipi i Edlir Tetovës ndodhet 4 pikë larg Vllaznisë kryesuese, ndërsa “djemtë” e Ilir Dajës janë plot 8 të tilla. Duelet e ardhshme të tyre do të jenë shumë delikate, ku kërkohet të bëjnë “autokritikën” dhe të rikthehen te rezultatet pozitive.
Siç dihet në kuadër të javës së 23-të të kampionatit Egnatia do të luajë në transfertë ndaj Flamurtarit ditën e premte në orën 19:00, ndërsa ditën e shtunë Dinamo sfidon Tiranën në “Selman Stërmasi” në orën 13:30.
