
Tirana luajti të shtunën kundër Tomorit në transfertë, ndeshje që përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të bardhebluve. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ze Maria dominoi në çdo aspekt duke vulosur fatin e takimit me kapitenin Karabeci dhe afrikanin Sentamu.
Nga ana tjetër për ekipin beratas asgjë nuk funksiononte. Dhe siç thotë një shprehje e urtë, kur "s'ke ç'i bën gomarit, i bie samarit", trajneri i Tomorit Santiliano Dule e kishte gjithë kohën problemin me Ze Marian. Problem i thënçin, pasi tekniku brazilian i veshur dhe i kollarisur në stil europian kishte punë me të tijët. Për newsport.al bëhet e ditur që trajneri Ze Maria gjatë gjithë kohës fyhej në mënyrë të pakuptimtë nga homologu i tij, pak shqip e pak italisht, sa me këmbë e me duar, Dule e jepte qartë mesazhin "prej shqiptari".
24-herë kampionët e Shqipërisë nuk kishin luajtur asnjëherë në Kategorinë e Parë, megjithatë gara e vështirë e sezonit të shkuar i "detyroi" të zbrisnin poshtë. Si për ironi të fatit, por për bukurinë e kampionatit shqiptar në ekipin bardheblu ka emra që i kanë shërbyer për vite me radhë Superligës tonë. Nga Ilion Lika, Hoxhallari, Kërçiku, Daja apo Karabeci të cilët i japin tjetër ritëm dhe cilësi të Parës. Përveç kësaj në stolin bardheblu është një emër i njohur i futbollit europian, trajneri brazilian Ze Maria.
Ndoshta ky i fundit nuk e kishte menduar kurrë që në një të ardhme fati do ta çonte nga fusha moderne e "San Siros" në stadiumin modest të Kuçovës. 11 lojtarët e tij në fushën e blertë respektojnë me përpikmëri gjithçka që ai thotë dhe deri më tani kanë korrur 6 fitore në 6 ndeshje. Për muaj me radhë është thënë se Tirana ka rënë aksidentalisht në Kategorinë e Parë dhe këtë po e tregojnë më së miri lojtarët bardheblu të veshur me fanelën më të titulluar në Shqipëri. Për të ardhur në Superiore u duhet pak punë, ku krahas përgatitjes tekniko-taktike, së bashku me trajnerin Ze Maria duhet të mësojnë edhe rregulla të pashkruara të futbollit shqiptar, por më e rëndësishmja të punojnë fort psikologjikisht sepse "larg-qoft" mendje i thonë... /NEWSPORT.AL/
[gallery columns="1" size="full" ids="164300,164302"]