Kupa e Botës 2026 nuk do të jetë vetëm skena e talenteve të reja, por edhe e disa veteranëve që vazhdojnë të shkëlqejnë në nivelet më të larta.
Me listat zyrtare tashmë të publikuara, bie në sy prania e emrave legjendarë që sfidojnë moshën dhe mbeten protagonistë në arenën ndërkombëtare.
Në krye të listës renditet portieri i Skocisë, Craig Gordon, me 43 vite "mbi shpinë", ndërsa Cristiano Ronaldo është i dyti 41 vjeç dhe do të marrë pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, një rekord historik.
Në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë edhe Luka Modric, Edin Dzeko, Manuel Neuer dhe Guillermo Ochoa, futbollistë që vazhdojnë të japin kontribut të rëndësishëm për kombëtaret e tyre.
Ndërkohë, Lionel Messi mbetet jashtë “Top 10”. Argjentinasi, i cili do të jetë 38 vjeç gjatë turneut, renditet në vendin e 11-të mes lojtarëve më të moshuar të Botërorit, duke humbur për pak një vend në listën e veteranëve më të mëdhenj të kompeticionit.
10 lojtarët më të vjetër në Kupën e Botës 2026:
1. Craig Gordon (Skoci) – 43 vjeç, 5 muaj e 11 ditë
2. Cristiano Ronaldo (Portugali) – 41 vjeç, 4 muaj e 6 ditë
3. Guillermo Ochoa (Meksikë) – 40 vjeç, 10 muaj e 29 ditë
4. Luka Modric (Kroaci) – 40 vjeç, 9 muaj e 2 ditë
5. Edin Dzeko (Bosnje dhe Hercegovinë) – 40 vjeç, 2 muaj e 25 ditë
6. Manuel Neuer (Gjermani) – 40 vjeç, 2 muaj e 15 ditë
7. Vozinha (Kepi i Gjelbër) – 40 vjeç e 8 ditë
8. Fernando Muslera (Uruguai) – 39 vjeç, 11 muaj e 26 ditë
9. Yuto Nagatomo (Japoni) – 39 vjeç, 8 muaj e 30 ditë
10. Hernan Galindez (Ekuador) – 39 vjeç, 2 muaj e 12 ditë.
