Miqësorja mes Danimarkës dhe Ukrainës regjistroi një moment paniku në minutën e 64-të kur Christian Eriksen u rrëzua pa ndjenja në fushën e lojës, çfarë solli dhe reagimin e menjëhershëm të stafit mjekësor për gjendjen e lojtarit.
Pas përfundimit të takimit, për të cilin u vendos dhe ndërprerja përfundimtare, ka mbajtur një qëndrim doktori i skuadrës daneze, Morten Boesen që “çliron” të gjithë ata që u përballën me ankthin e një momenti të sikletshëm.
“Christian është mirë dhe u largua nga fusha me këmbët e tij. Nga çfarë pashë, stimuluesi kardiak (pacemaker) reagoi ashtu siç duhej. Ai humbi ndjenjat brenda një kohe të shkurtër, por iu rikthye vetëdija shumë shpejt dhe ne arritëm të viheshim menjëherë në kontakt me të.
Në këto momente ai do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme në spital për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi këtë incident. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të dhe mjekët me të cilët ai po qëndron momentalisht në spital. Por Christian është mirë dhe më kërkoi t’ua përcjell përshëndetjet e tij të gjithë lojtarëve dhe t’u them se ai është mirë”, është shprehur Boesen.
