Egnatia është e vendosur për t’i shkuar deri në fund misionit për një përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës, aty ku marrin pjesë në kualifikueset e Champions Leauge.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit rrogozhinas kanë filluar me hedhjen e “grepave”, mbi afrimet e mundshme për t’ia vënë në dispozicion trajnerit Nevil Dede.
Së fundmi, siç raportojnë burimet për mediat, në “orbitën” e kampionëve të Superiores ka përfunduar Klevis Shaqe, mbrojtësi i majtë i Skënderbeut që sezonin e ardhshëm luan në elitë.
Shaqe vlen plot 150 mijë euro sipas “Transfermarkt”, ndërsa vlerat e tij janë të padiskutueshme në prapavijë, çfarë ka bërë që rrogozhinasit ta studiojnë si ide, teksa ende nuk flitet për bisedime konkrete mes palëve.
Në sezonin që sapo përfundoi në Kategorinë e Parë, ku Skënderbeu e mbylli në vendin e dytë pas Laçit, Shaqe zhvilloi 26 prezenca, duke shënuar 3 gola dhe dhuruar dy asiste. Ky ishte dhe sezoni i tij i dytë me korçarët, teksa më herët ka veshur fanellën e Tomorit, Trepçës, Turbinës, Pogradecit dhe Besës.
