Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

EKSKLUZIVE/ Portieri Ruçi tregon “fytyrën” e re të Vorës: Fituam eksperiencën e duhur sezonin e kaluar, tashmë jemi më të fortë

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ Portieri Ruçi tregon “fytyrën” e re të
Shkëlzen Ruçi

Vora është duke zhvilluar momentalisht fazën e saj përgatitore, në vigjilje të sezonit të ri në “Abissnet Superiore”. Ky do të jetë viti i dytë radhazi për ta në elitë, pasi ia dolën me sukses të siguronin qëndrimin që zgjati deri në javën e fundit të kampionatit.

Shumë ndryshime, afrime, largime dhe konfimime, por në radhët e vorakëve, ambiciet janë më të mëdha se në sezonin që lamë pas, jo vetëm thjesht për të arritur sërish të njëjtin objektiv minimal.

Për “Newsport.al” ka folur portieri i kësaj skuadre, Shkëlzen Ruçi, i cili prek mes të tjerash mbresat e marra në eicionin debutues, fazën përgatitore në Bansko të Bullgarisë, ndryshimet në organikë si dhe objektivat e rinj sezonal.

Mbyllët një sezon sfidues me Vorën në debutimin në Superiore, por ia dolët të siguronit mbijetesën. Si e përjetuat këtë rrugëtim dhe çfarë ju la si eksperiencë?

Ishte një sezon i vështirë, por besoj se ekipi tregoi karakter. Kishim momente të mira dhe të vështira, por në fund arritëm objektivin tonë. Kjo na dha më shumë besim dhe eksperiencë për të kuptuar se çfarë kërkon Superiorja.

Prej disa ditësh ndodheni në Bullgari për fazën përgatitore. Si po ecën puna nën drejtimin e trajnerit Arjan Bellai?

Po punojmë shumë mirë. Ngarkesat janë të larta, por kjo është normale në këtë periudhë. Trajneri dhe stafi po punojnë për ta përgatitur ekipin sa më mirë dhe atmosfera brenda grupit është shumë pozitive.

Në sezonin e kaluar patët konkurrencë të fortë në portë me Romeo Harizajn. Një “rivalitet” që pritet të vazhdojë edhe në sezonin që vjen. Sa të motivuar jeni për të fituar sërish një vend në formacion?

Konkurrenca është pjesë e futbollit dhe i bën mirë ekipit. Të gjithë punojmë për të qenë gati dhe në fund vendos trajneri. Më e rëndësishmja është që kushdo që luan të japë maksimumin për Vorën.

Vora ka afruar disa lojtarë të rinj gjatë merkatos. Si po përshtaten ata me grupin dhe çfarë mendoni se do t’i sjellin skuadrës?

Janë përshtatur shumë mirë. Kanë cilësi dhe po japin maksimumin që në ditët e para. Besoj se do ta rrisin konkurrencën në skuadër dhe do të na ndihmojnë të kemi një ekip më të fortë gjatë sezonit.

Shorti ju ka vendosur përballë Dinamos në javën e parë të kampionatit. Si e vlerësoni këtë përballje dhe me çfarë objektivi do të hyjë Vora në sezonin e ri?

Do të jetë një ndeshje e fortë, si çdo takim në Superiore. Ne do ta përgatisim maksimalisht dhe do të hyjmë në fushë për të marrë rezultat pozitiv. Objektivi është të zhvillojmë një sezon edhe më të mirë se ai i kaluar dhe të jemi sa më konkurrues.

Federata ka sjellë një format të ri të kampionatit, fazën “play-off” dhe “play-out”. A mendoni se me këtë ndryshim, Vora ka më shumë mundësi për të realizuar objektivat?

Është një format i ri që do ta bëjë kampionatin më interesant. Ne jemi të fokusuar te puna jonë dhe mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Nëse ruajmë vazhdimësinë dhe paraqitjet e mira, besoj se kemi mundësi të arrijmë objektivat që ka klubi. / Ermal SPAHIU

Poll

Lexo gjithashtu