E ardhmja e Mauro Icardi duket gjithnjë e më larg nga Galatasaray. Pas muajsh spekulimesh, sulmuesi argjentinas pritet të mbyllë aventurën e tij në Stamboll në fund të sezonit, duke i dhënë fund një periudhe të mbushur me gola dhe trofe.
Sipas mediave italiane, dëshira kryesore e Icardit është një rikthim në Serie A, kampionatin ku ai shkëlqeu me fanelën e Interit. Raportohet se përfaqësuesit e tij kanë kontaktuar disa klube italiane, ndërsa emra si Roma, Milan, Como 1907 dhe së fundmi edhe Juventus janë përmendur si destinacione të mundshme.
Megjithëse ende nuk ka negociata konkrete apo oferta zyrtare, rikthimi në futbollin italian shihet si opsioni më i mundshëm për 33-vjeçarin, i cili mbetet një emër i respektuar në Serie A falë eksperiencës dhe instinktit të tij para portës.
Për momentin, e ardhmja e Icardit mbetet e hapur, por një gjë duket e sigurt pas largimit nga Galatasaray, sulmuesi argjentinas është i vendosur të nisë një kapitull të ri dhe Italia mund të jetë sërish shtëpia e tij.
