Mërgim Vojvoda ka pësuar një dëmtim, jo shumë të lehtë. Mbrojtësi shqiptar i cili mungoi në gjysmëfinalne e kthimit të Kupës së Italisë përballë Interit, tashmë ka marrë një lajm të keq.
Protagonisti absolut me Comon këtë sezon, do të jetë jashtë fushave për të paktën 2-3 javë. Sipas mediave italiane, Vojvoda ka pësuar një dëmtim në muskulin fleksor.
Kështu, mbrojtësi i djathtë 31-vjeçar do të humbasë ndeshjen kundër Genoas, më 26 prill dhe gjithashtu superduelin përballë Napolit më 2 maj. Gjasat janë që Vojvoda të tkthehet për 3 ndeshjet e fundit të kampionatit.
Kujtojmë që në javën e 36-të, 37-të dhe 38-të, Como do të përballet respektivisht me Veronën, Parmën dhe ekipin e Cremoneses.
Vlen të theksohet se këtë sezon, anësori shqiptar ka bërë mjaft mirë mes Serie A dhe Kupës me ekipin e Comos. Ai ka shënuar 2 gola, teksa ka asistuar në 3 të tjerë.
