Pio Esposito ka bërë një debutim mbresëlënës me ekipin e parë të Interit, duke u shndërruar shpejt në një nga elementët më premtues të skuadrës. Me 10 gola dhe 7 asiste të regjistruara gjatë sezonit të tij të parë, 20-vjeçari ka fituar besimin e plotë të stafit teknik, në veçanti të trajnerit Cristian Chivu, dhe të drejtuesve zikaltër.
Sipas raportimeve më të fundit nga mediat angleze, Manchester United ka shprehur një interes serioz për sulmuesin italian. “Djajtë e Kuq” thuhet se po bëjnë përgatitjet e duhura për të tentuar transferimin e tij në "Old Trafford" gjatë kësaj vere.
Megjithatë, një lëvizje e tillë mbetet komplekse. Esposito është një pjesë integrale e planeve të Interit dhe është i lidhur me klubin përmes një kontrate e cila skadon në vitin 2030. Vlera e tij aktuale në treg, referuar Transfermarkt, llogaritet në 45 milionë euro.
Pavarësisht rëndësisë që sulmuesi ka për projektin zikaltër, burime pranë klubit lënë të kuptohet se nuk përjashtohet mundësia që ai të "sakrifikohet" nëse në zyrat e Interit vjen një ofertë e jashtëzakonshme nga Anglia, e cila do të ishte e pamundur për t'u refuzuar.
