Kategoria Superiore mbylli javën e 5-të ditën e djeshme dhe nis menjëherë punën për të 6-tën. Nuk do të vonojë shumë, por do të rikthehet të luhet që këtë mesjave me 4 ndeshje mjaft interesante. U përgatit të luhej derbi i zjarrtë mes Tiranës dhe Partizanit, por një dakordësim i dy klubeve dhe FSHF bëri që kjo sfidë të shtyhet pmë 19 tetor në mënyrë që të luhet në ‘Air Albania’.
Në këtë mënyrë, Superioria nis të mërkurën me 3 ndeshje të njëpasnjëshme. Erzeni – Skënderbeu hap javën në orën 15:00 me shijakasit që vijnë nga fitorja suprizë me Tiranën ndërsa korçarët nga 3 humbje rradhazi. Në orën 18:00 do të luhet dhe sfida më e rëndësishme e kësaj jave. Vllaznia – Egnatia do të masin pulsin e njëra-tjetrës në Loro Boriçi me dy skuadra që objektiv minimal kanë 4 vendet e para.
Në orën 20:15, Teuta pret Kukësin në Durrës me bregdetarët që duan të rikthehen te fitorja ndërsa verilindorët janë zgjuar më në fund teksa morën fitoren dhe pikët e para ndaj Skënderbeut javën e fundit.
Të enjten do të luhet edhe ndeshja e fundit e kësaj jave me Laçin që pret Dinamon në shtëpi. Kurbinasit, ashtu si dinamovitët vijnë nga një humbje dhe duan të rikthehen te pikët përballë njëra-tjetrës.