Ardjan Ismajli ka folur para ndeshjes që Shqipëria do të luajë me Ukrainën, në kuadrin e një miqësoreje, pas sfidës me Poloninë në Varshavë. Mbrojtësi i Kombëtares i quan peng rastet e humbura në Varshavë, pasi sipas tij, kuqezinjtë e merituan vërtetë kualifikimin në finalen e play-off për Kupën e Botës.
“Besoj që kemi merituar shumë më shumë, kemi pasur raste për shënim. Normal jemi të dëshpëruar sepse duke e parë se si iku ndeshja e kemi merituar me të vërtetë kualifikimin për finalen e Botërorit, por nganjëherë futbolli është kështu, ta kthen shpinën dhe fati nuk ishte me ne, por shpresojmë për shumë fat në të ardhmen dhe kjo ndeshje na shërben për me u rrit shumë më shumë si futbollist dhe si grup për të ardhmen", deklaroi Ismajli.
Më tej, lojtari kuqezi shtoi se çdo ndeshje ka rëndësi të veçantë për skuadrën, teksa falenderoi tifozët për mbështetjen e ofruar në stadium, duke iu premtuar se do t'ua kthejnë me një kualifikim në Europianin e ardhshëm.
"Çdo ndeshje e Kombëtares është e rëndësishme. Normalisht që është një miqësore. Nuk është e lehtë pas asaj që ndodhi me Poloninë, por megjithatë ne jemi një ekip profesionist kemi kalu dhe këto sfida edhe normal do besojmë me Ukrainën për me bo një rezultat sa më pozitiv.
Po unë besoj tani kur fillon dhe Liga e Kombeve është një hap i rëndësishëm për neve në aspektin që duhet ta fitojmë patjetër grupin, sepse jemi më kualitativ se të gjithë ekipet e tjera këtu dhe siç e dimë të gjithë po fitove grupin e Ligës së Kombeve është udhëtimi për në Europian shumë më i lehtë.
Aty do të fillojna ne dhe pastaj kur të mbarojë Liga e Kombeve të shohim edhe grupin për Euro 2028. Kështu që do ia lëmë kohës dhe do të shohim se me ç’ekip do kemi të bëjmë.
Tifozët i falenderojmë nga zemra. Janë gjithmonë numri jonë i 12 sepse e patë dhe vetë në Poloni edhe në atë ambient të jashtëzakonshëm ku ishin besoj 4 mijë-5 mijë tifozë shqiptarë. Ato në stadium dhe shumë të tjerë duke na shikuar nga ekrani. Shpresoj që në të ardhmen t’ua kthejmë siç ua kemi kthyer në Europianin e 2024-të, shpresojmë dhe për suksese të tjera", përfundoi mbrojtësi.
