Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOSOVA

EKSKLUZIVE/ “Përmbysja në Bratislavë ishte e pabesueshme!” Mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu beson te ëndrra e Botërorit: Turqia e fortë, por edhe ne kemi shumë cilësi

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ “Përmbysja në Bratislavë ishte e
Lindon Emërllahu

Të martën e 31 marsit, të gjithë shqiptarët do të jenë “sy e veshë” në Prishtinë. Kosova do të zbresë në fushë për ndeshjen historike përballë Turqisë në “Fadil Vokrri”, pasi në 90 minuta ose më shumë, do të vendoset fati i “dardanëve” për rrugëtimin drejt Botërorit 2026.

Ndërkohë që në prag të këtij dueli, në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, ka folur edhe mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu. Ky i fundit është shprehur mjaft optimist për ndeshjen përballë turqve, por duke mos u hequr meritat dhe cilësitë që kundërshtarët zotërojnë.

Ndër të tjera, Emërllahu ka treguar edhe momentet e veçanta si dhe ndjenjat për përmbysjen ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Në fund, mesfushori 23-vjeçar ka një thirrje e mesazh edhe për tifozët, duke u kërkuar mbështetje pa kushte në ditë të mira si kjo apo edhe kur Kosova nuk është në “optimalen” e saj.

Fitorja në Bratislavë ishte spektakolare, si e rikujtoni edhe një herë momentin e golit të fundit pas një përmbysjeje kaq dramatike?

Fitorja në Bratislavë ishte një nga fitoret më të bukura të përfaqësueses së Kosovës, pasi kjo fitore kishte shumë rëndësi. Na çoi në play off për të shkuar në Kupën e Botës. Goli më i mirë ishte i përmbysjes nga Florent Muslija, ishte një ndjenjë e pabesueshme. Ishte gjithashtu një ndeshje e vështirë përballë një kundërshtari mjaft të vështirë, si Sllovakia.

Çfarë mendoni se bëri diferencën në atë ndeshje, dhe cilët elementë ishin vendimtarë për të siguruar triumfin në fund?

Diferencën në ndeshjen me Sllovakinë besoj që e bëri fakti që kemi shumë lojtarë që luajnë shumë mirë me topin individualisht. Kjo ishte arma jonë në këtë ndeshje, po ashtu mund të them që kemi mbrojtje dhe mesfushë mjaft të ekuilibruar.

A ka një moment të veçantë nga ajo ndeshje, një dialog me trajnerin, një strategji në fushë, apo një veprim i një shoku të ekipit, që ende ju mbetet i gjallë në mendje?

Ne jemi futur në çdo ndeshje për fitore. Veprimi më i veçantë ishte kur Vedat Muriqi doli nga loja dhe i dha disa këshilla Albion Rrahmanit. Ishte një moment mjaft i bukur gjatë kësaj ndeshje.

Ndeshja ndaj Turqisë konsiderohet historike për Kosovën dhe shqiptarët, si e përjetoni presionin dhe emocionet që vijnë nga pritshmëritë e tifozëve?

Po, ndeshja me Turqinë është historike për çdo lojtar. Ne lojtarët e dimë se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje. Besoj se stadiumi do të jetë plotë me tifozë dhe madje jo vetëm në stadium, por anembanë botës do jenë duke na mbështetur. Shpresoj që të kemi fat dhe të bëjmë të pamundurën, të mundur.

Si mendoni se eksperienca nga fitorja ndaj Sllovakisë mund t’i ndihmojë lojtarët për këtë sfidë të madhe pasi do të thotë kualifikim në Botëror në rast fitoreje?

Po, ndeshja me Sllovakinë besoj që është një eksperiencë që mund të marrim të gjithë dhe të mund të përfitojmë të gjithë lojtarët nga pak. Shpresoj që eksperienca të na ndihmojë edhe ndaj Turqisë, e më pas të kualifikohemi, ashtu siç e kemi ëndërr.

Çfarë strategjie mendoni se mund t’i japë Kosovës avantazh ndaj një kundërshtari si Turqia dhe mungesa e mundshme e Calhanoglu, si mendoni se do ndikojë?

Futboll është, nuk i dihet asnjëherë. Por mendoj se faktori fushë do të ndikojë shumë tek ne, pasi kemi një tifozëri të jashtëzakonshme. Po ashtu duhet të them që edhe Turqia ka lojtarë mjaft cilësorë dhe që luajnë në klube të mira në arenën ndërkombëtare. Por ne kemi lojtarë me eksperiencë dhe do mund të përballemi me atë Turqi të martën në mbrëmje.

Dhe e fundit, për tifozët, cili do të ishte mesazhi kryesor i ekipit para kësaj ndeshjeje historike?

Mesazhi për tifozët është që si çdoherë, të vijnë të na përkrahin, mbështesin si në ditë të mira dhe të këqija. Më mbështetjen e tyre, besoj se edhe ne do t’ia dalim në fund. /Nikoll RAJTA/

Poll

Lexo gjithashtu