Klubi i Ballkanit nga Superliga e Kosovës, ka zyrtarizuar afrimin e qendërsulmuesit Albin Berisha. 25-vjeçari shqiptar i Kosovës vjen nga Austria, ku bënte pjesë te SV Kapfenberg në ligën e 2-të.
Për Berishën, ky është rikthim te Ballkani, pasi ka fituar 3 herë radhazi titullin në Superligën e Kosovës me skuadrën nga Suhareka, teksa trajner ishte Ilir Daja, sikurse edhe Superkupën.
“Albin Berisha rikthehet në shtëpi! FC Ballkani ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin e sulmuesit Albin Berisha, i cili sërish do të veshë fanellën portokalli e zi.
Pas përvojës së fituar jashtë vendit, Berisha rikthehet në klubin ku u zhvillua dhe arriti sukseset më të mëdha, me synimin për të dhënë edhe një herë kontribut të rëndësishëm në arritjen e objektivave të ekipit.
Mirë se u ktheve në shtëpi, Albin! Suksese dhe shumë gola me fanellën e FC Ballkanit”, postimi i klubit nga Suhareka.
