Klubet shqiptare kanë zgjedhur Antalian në Turqi për të përgatitur këtë rradhë gjysmën e dytë të sezonit. Luftëtari është nisur i pari drejt qytetit bregdetar e pas tyre Kukësi, Partizani, Skënderbeu, Flamurtari dhe Tirana do të mbërrijnë në orët në vazhdim.
Gjashtë klubet që kanë zgjedhur Turqinë nuk kanë menduar të gjejnë një zgjidhje praktike. Kukësi është nisur vonë në mbrëmje për të mbërritur në Antalia pas mesnate, ndërsa Skënderbeu e Partizani janë nisur në orët e para të mëngjesit dhe lojtarëve i është afruar gjumë në avion dhe gjatë tranzitit në Stamboll.
Njësoj do të përjetojnë edhe Flamurtari e Tirana, dy klubet e fundit që do të nisen sot dhe nesër drejt Turqisë. Do të kishte qenë e mjaftueshme që drejtuesit e secilit nga klubet të ishin bërë bashkë për të rezervuar 2 ose 3 çarter dhe në këtë mënyrë do të shmangnin vështirësitë në transport, tranzitin dhe kostot financiare. Në Shqipëri është e vështirë të bashkëpunohet.
