Partizani tashmë ka kaluar në raundin e tretë të Champions League, ndërsa mbrëmja e djeshme do të mbetet e paharruar, pasi "gardiani" i të kuqve shënoi një super gol me 11-metërsh duke ngritur peshë moralin e të gjithëve, por edhe se priti 3 11-metërsh, duke qenë absolutisht protagonisti kryesor në kualifikimin e skuadrës së tij.
I kontaktuar nga "Sport Ekspres", Hoxha ka treguar detajet e kësaj sfide. "Është magjike. Janë emocione të papërshkrueshme. Ky stadium, këta tifozë nuk gjej as fjalë për ta përshkruar. Mund të them se ky është një ndër momentet më të mira në karrierën time dhe nuk e di nëse do të provoj më emocione të tilla. Falënderoj të gjithë çunat, stafin dhe presidentin për emocionet e dhuruara", shprehet fillimisht cërrikasi.
"Ishte një ndeshje e vështirë, pasi luanim jashtë fushe ndaj një kundërshtari që duhet respektuar. E prisnim që Ferencvaroshi të luante në një mënyrë të tillë dhe ne bëmë lojën tonë. Dëmtimi i Bathës, por edhe goli i shpejtë na shpërqendruan pak, por gjetëm forca dhe reaguam. Fati ndikoi në këtë ndeshje dhe duhet të jemi realistë. Futbolli ka edhe këtë faktor brenda. Ne u ndëshkuam nga një episod i izoluar dhe shënuam po nga një episod i tillë", shton më tej Hoxha duke analizuar lojën dhe dëmtimet e lojtarëve.
Portieri i të kuqve nuk e humbi besimin deri në fund, ndërsa tregon se përgatitjet ndikuan në këtë paraqitje. "Të them të drejtën besuam deri në fund që do të kualifikoheshim. Kisha besim dhe përgatitjet ishin në nivelin më të lartë".
"Paneka, kam provuar para ndeshjes penalltitë dhe nuk kam humbur asnjë. Panekan e kisha provuar në stërvitje madje me portierët e kombëtares në "Euro 2016". Duhej diçka e tillë për të ngritur moralin ekipi" sqaron Hoxha për penalltinë e gjuajtur në atë mënyrë mbrëmjen e djeshme.
Në fund Hoxha shton disa detaje, ku bën me dije se është njohës i mirë i 11-metërshave dhe se Ibrahimi i ka dhënë forcë për të arritur deri këtu. "Jam njohës i mirë i penalltive dhe fatmirësisht ishte një ditë e mirë dhe për mua. Më vjen mirë që qëlloi dita ime me fat. Tifozët janë pasuri për Partizanin dhe jam shumë krenarë që bëmë këtë paraqitje fantastike dhe u kualifikuam prej tyre. Ibrahimi më dha forcë dhe më tha se këtë duhet ta bësh për Bekon.