“L’Equipe” njofton transferimin e dytë më të bujshëm dhe më të shtrenjtë të kësaj merkato vere, e njëherësh të historisë së futbollit botëror.
Monaco dhe PSG kanë gjetur të dielën marrëveshjen për huazimin e sulmuesit Kylian Mbappe, me opsionin për blerjen e talentit, për shumën 180 milionë euro plus bonuse. Sulmuesi i përfaqësueses së Francës duhet të realizojë vizitat dhe testet mjekësore, në më të vonën, mëngjesin e të hënës. Këtë të dielë ka marrë fund drama e kësaj merkato vere.
Monaco dhe Paris Saint-Germain gjetën një marrëveshje që do të çojë yllin francez te klubi i kryeqytetit francez.
Ky huazim përfshin edhe opsionin për blerjen e Mbappe për shumën € 180 milionë plus bonuset, me të cilat pritet të kalohet shuma rekord e transferimit në historinë e futbollit, ajo e Neymar, nga Barcelona drejt PSG, për totalin e 222 milionë euro.
Kjo marrëveshje mes klubeve arrihet pasi më parë PSG kishte gjetur akordin me vetë yllin e Monaco, Kylian Mbappe.
Sulmuesi i ri francez, i cili është grumbulluar nga trajneri i përfaqësueses së Francës, Didier Deschamps për dy takimet eliminatore të Kupës së Botës, ndaj Holandës dhe Luxembourg, javën e ardhshme, do të jetë tashmë i qetë me Francën, pasi është vendosur e ardhmja e tij shkruan Telesport. Mëngjesi i të hënës është afati më i largët për realizimin e vizitave dhe testeve mjekësore.
