
Përflitej prej kohësh se Ardit Hila do të largohej nga Tirana, teksa ditën e sotme është vetë klubi bardheblu që njofton largimin e mesfushorit. Palët kanë ndërprerë me mirëkuptim bashkëpunimin mes tyre.
“KF Tirana njofton ndërprerjen me konsensus të bashkëpunimit me mesfushorin Ardit Hila. Klubi dhe lojtari kanë shtrënguar duart në fundin e këtij rrugëtimi. Falenderojmë Hilen për kontributin e tij dhe i urojmë suksese në të ardhmen e tij.
#faleminderitardit #thankyou @ardit_hila27”, ka shkruar klubi kryeqytetas.
Kujtojmë se kontrata me bardheblutë i përfundonte në qershor të këtij viti. Ndërkohë 31-vjeçari pritet të zyrtarizohet te Elbasanit, ku do të rikthehej te skuadra e vendlindjes së tij. Në këtë sezon elbasanasi luajti në 16 ndeshje, ku shënoi vetëm 2 gola dhe asistoi në 2 raste, ndërsa u pezullua nga klubi dy herë për shkak të disa mosmarrëveshjeve që palët kanë patur mes tyre.