Pas 9 vitesh “shtegëtim”, sulmuesi portugez Andre Silva është rikthyer në “shtëpi” te Porto. “Pyka” 30-vjeçare i ka dhënë fund aventurës profesionale me Elche në Spanjë dhe kërkon të ringrihet aty ku bëri “zhurmë”.
Klubi i Portos e ka konfirmuar këtë afrim me parametra zero. Edhe pse dha “shkëndija” se mund të bëhet sulmues i kalibrit të lartë, nuk e tregoi kurrë te Milani, Sevilla, Frankfurt, Leipzig, Sociedad, Werder Bremen apo Elche.
Tifozët e Portos e kanë pritur “ngrohtë” këtë lëvizje, për një lojtar që ka shënuar 24 gola dhe 11 asiste në 58 ndeshje me “Dragonjtë” (2015-2017).
Me Portugalinë, Andre Silva mbart statistika pozitive, 19 gola në 53 prezenca, pa harruar ndikimin dhe “furnizimin” të luzitanëve drejt Cristiano Ronaldos.
