
Agim Dajçi është një nga lojtarët më premtues të Partizanit. 19-vjeçari luan në repartin difensiv, në linjën e djathtë të prapavijës. Ka arritur të ketë një kontratë profesionisti, por deri tani ka marrë minuta vetëm në ndeshjet e Kupës. Pikërisht krahu i djathtë i mbrojtjes ka qenë prej vitesh “Thembra e Akilit” për Partizanin që pas largimit të Arbnor Fejzullahit.
Sot, 19-vjeçari ka treguar se vijon stërvitjen individuale jashtë mureve të shtëpisë. Për një kohë prej 39 minuta, ai ka bërë 6.75 kilometër vrap. Një sinjal i qartë ky se po përgatitet për të qenë gati në çdo moment kur do të ndizet drita jeshile për të rifilluar kampionati. Ndoshta disa minuta më shumë në këmbë do të tregonin vlerat e tij. Vetëm 180 minuta të luajtura kundër Vorës në Kupën e Shqipërisë janë shumë pak për një futbollist për të cilin pretendohet.
Kujtojmë që në disa ndeshje të Superiores, Dajçi ka qenë në 18-she, pra në stol, por nuk ka mundur asnjëherë të ketë minuta në këmbët e tij. Ndoshta pas rifillimit të kampionatit, trajneri Sormani që njihet për promovimin e elementëve të rinj, do të mund t’i japë disa minuta në këmbë.