
Vllaznia do të luajë në transfertë ndeshjen e javës së 14. Shkodranët do të duhet të udhëtojnë drejt Gjirokastrës, me vendasit që kanë nevojë jetike për pikë. Në të tillë situatë, trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz do të duhet t'i bëjë mirë llogaritë pasi në qytetin e gurtë nuk do e ketë aspak të lehtë. Ndeshja e fazës së parë në "Loro Boriçi" u nda në paqe, me ekipet që nuk e gjetën dot rrugën e rrjetës.
Vllaznia ka vijuar përgatitjet për këtë sfidë, teksa është detyruar nga kushtet klimatike të ndërrojë ambientin stërvitor. Shiu i rënë së fundmi ka zhvendosur shkodranët të ndërrojnë ambient, duke u zhvendosur në "Reshit Rusi" që ka bar artificial. Trajneri ngas Maqedonia e Veriut duhet të "arrnojë" formacion për ndeshjen e fundjavës, pasi Emerson nuk ia ka dalë të jetë ende gati. E sigurt është mungesa e Hygor, që gjendet ne Brazil me leje të klubit. Ndeshja mes Vllaznisë dhe Luftëtarit luhet të shtunë, duke nisur nga ora 13:30.