Partizani e kaloi vitin 2023 me suksese si asnjëherë tjetër në periudhën pas rikthimit në Superiore. Titullit kampion dhe Superkupës iu shtuan "play off" i Conference League dhe mbyllja e sezonit të parë në "Arenën e Demave".
Dhe pavarësisht këtyre arritjeve, te Partizani janë shprehur gjithmonë për më tepër. Për tifozët është ëndërr dhe përfundimi i infrastrukturës së kompleksit. Kështu viti 2024 me shumë gjasa do të vijë me investime të reja. Jo vetëm hoteli, që mund të konsiderohet thuajse i mbaruar por dhe dy fushat stërvitore do t'i shtohen kompleksit me bazë në Tufinë.
E rëndësishme po ashtu do të jetë rruga që të çon te kompleksi apo fusha e stadiumit "Arena e Demava". Sezoni i ardhshëm pritet t'i gjejë "demat" në fushë me bar natyral dhe jo sintetik. E gjitha do të fillojë si proces pasi fushat stërvitore të jenë gati.