Vicente del Bosque ka thënë se lënia e portierit Iker Casillas në stol për ndeshjen e parë të Spanjës në "Euro 2016" kundër Çekisë, ka qenë vendimi më i "dhimbshëm" që e ka marrë ndonjëherë qëkur është në krye të "furisë së kuqe".
Del Bosque ka pritur deri në minutën e fundit para se të bëjë të ditur se portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, do të jetë titullar kundër Çekisë para kapitenit Casillas, i cili ka qenë zgjedhja e parë te Spanja prej vitit 2002. Ndeshjen kundër Çekisë, që i takoi Grupit D e fitoi Spanja në minutat e fundit, falë golit të shënuar me kokë nga Gerard Pique.
"Është shumë e dhimbshme për mua që Ikeri nuk luan. Ai është lojtar që duhet respektuar për shkak se është pjesë e Spanjës tashmë 14 vjet. Jam munduar t'i bëj gjërat të thjeshta dhe normale para se të marrë një vendim të tillë", ka thënë Del Bosque. "Paraprakisht kam biseduar me Ikerin, pasi e meriton. Ka më shumë se 160 paraqitje me Spanjën dhe është ikonë. Unë gjithmonë mundohem të bëj zgjedhjen më të mirë dhe dallimi mes Ikerit e De Geas është minimal.''
Casillas, i cili verën e shkuar u largua nga Real Madridi për t'u transferuar te Porto, ka qenë titullar te Spanja në sukseset më të mëdha të kësaj skuadre: "Euro 2008", "Euro 2012" dhe botërori "Afrika e Jugut 2010". Casillas në total ka 167 paraqitje me ekipin e Spanjës.