Java e parë e fazës Final Four solli rezultate zhgënjyese për skuadrat e kreut, Vllazninë dhe Elbasanin të cilat u mposhtën nga Dinamo (0-2) dhe Egnatia (0-4).
Projeksionet për titullin kampion në “Abissnet Superiore” tashmë mund të quhen më të hapura se kurrë, kjo sepse tre skuadra (Vllaznia, Elbasani dhe Egnatia) ndajnë të njëjtin numër pikësh, 31, ndërsa Dinamo mban vendin e katërt në kuotën e 27 të tillave.
Renditjen momentalisht e kryesojnë shkodranët, për shkak të ndeshjeve direkte dhe pikëve të grumbulluara në sezonin e rregullt.
Ndeshjet e radhës, ku fillimisht Vllaznia do të luajë përballë Egnatias ditën e shtunë, e një ditë më pas Elbasani përballet me Dinamon, mund të thonë shumëçka për vazhdimësinë e garës, por skuadra e Edi Martinit, shihet të ketë një “avantazh” më të lehtë në këtë pikë të kësaj faze.
