I ftuar në emisionin “SKANER” në MCN TV, Dejvi Bregu ka folur për të ardhmen e tij. Sulmuesi 30-vjeçar ia ka lënë “derën hapur” edhe një largimi nga dinamovitët, por ka theksuar se gjithçka varet nga biseda që do të bëjë kur të ulet në tavolinë ballë për ballë me presidentin Adrian Bardhin, për të cilin thotë që është arsyeja kryesore që firmosi me kryeqytetasit.
“Raporti im me presidentin dihet, është arsyeja kreysroe që kam ardhur te Dinamo. Merkato nuk bën çudi që emri im është i lakuar. Janë muhabete që duhen folur, ulur dhe diskutuar. Kohë merkato është, janë muhabete që duhen folur, duan kohën e tyre. Duke ditur që presidenti Bardhi ka dëshirë të jem pjesë e klubit, por është edhe agjenti im që do të flasë.
Adrian Bardhi është nga ata presidentë që rrallë lë futbollistë të ikin, dëshira e tij është që unë të qëndroj. Dëshira ime? Janë kushtet që vendoset e bardha mbi të zezë, e zeza mbi të bardhë. Janë thjeshtë zëra, nuk i jap fjalën askujt sepse e kam shumë të shenjtë. Për respektin tim në radhë të parë, duhet të flas me Dinamon, por duhet të dihen edhe kushtet”, tha Dejvi Bregu.
