Prag takimit të parë përballë BATE Borisov, i vlefshëm për kualifikueset e Conference League, ka folur edhe mbrojtësi e njëkohësisht kapiteni i Elbasanit, Bruno Lulaj. Kjo ndeshje do të luhet të martën në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të nisë prej orës 20:00.
“Na pret një kundërshtar që ka eksperiencë në këto gara europiane. E vlerësojmë dhe respektojmë BATE-n, por edhe ne kemi punuar fort për të qenë gati.
Të shpalosim në fushë çfarë kemi punuar gjatë kësaj jave dhe të shpresojmë për më të mirën. Jam shumë i sigurt që do të ketë entuziazëm dhe që do të jetë i mbushur plot me tifozë. Janë 20 vite që ky qytet që e dashuron kaq shumë futbollin e pret këtë ndeshje, dhe ne mezi po presim që t’i kënaqim tifozët dhe gjithë qytetin edhe të marrim një rezultat pozitiv për ta.
Futbolli kështu e ka, lojtarët nuk janë të përjetshëm, e vetmja gjë e përjetshme është emblema që mbajmë në zemër, lojtarët e rinj janë integruar shumë mirë me skuadrën dhe ne lojtarët e vjetër i kemi ndihmuar, janë lojtarë cilësorë dhe djem shumë të mirë dhe shpresoj që do të na ndihmojnë”, tha Lulaj.
