Elbasani u përballë me një prej humbjeve më "deklasuese" në kampionat, pasi u mposht nga Egnatia me rezultatin 0-4 në ndeshjen e parë të fazës finale të "Abissnet Superiore", e cila u zhvillua në stadiumin "Air Albania".
Verdheblutë u përpoqën të ngrenë kokë, por nuk ia dolën që të frenonin "euforinë" e jashtëzakonshme të rrogozhinasve të cilët nuk treguan aspak mëshirë e që mbyllën praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë.
Një disfatë që dhemb shumë në këtë fazë të komplikuar të sezonit, ku çdo gabim përkthehet në "faturë", por skuadra ende beson dhe këtë e konfirmon vetë klubi përmes një reagimi në rrjetet sociale ku shkruan: "Deri në fund...", mesazh ky që përcjell forcën e kurajës dhe dëshirës së madhe për të hedhur pas krahëve këtë moment të vështirë.
