Skënderbeu e nisi kampionatin me dy fitore rradhazi që rritën euforinë në Korçë ku dukej se kjo skuadër e re premtonte shumë. Mirëpo, 2 javët pasardhëse do të rezultonin vetëm me humbje duke ulur menjëherë moralin në ambient.
Ndaj Kukësit ditën e djeshme, pritej që bardhekuqtë të bënin kthesën duke shfrytëzuar edhe gjendjen e kundërshtarit, por në fakt këtë e bën verilindorët që fituan 0-1 në Korçë duke marrë fitoren e parë këtë sezon.
Presidenti Ardian Takaj zhvilloi një takim me ekipin para ndeshjes ku kërkoi autokritikë nga lojtarët për dy humbjet me Tiranën dhe Teutën në transfertë. Kreu i bardhekuqve vendosi ultimatum për fitoren ditën e shtunë ku mes lojtarëve e stafit teknik u shpreh se asnjë rezultat nuk do të pranohet veç fitores duke marrë edhe premtimin e lojtarëve për kthesën në shtëpi.
Mirëpo, ky premtim nuk u realizua duke e zhytur ekipin akomë më thellë në renditje ku tashmë renditet në vendin e 7-të. Mbetet të shihet si do të veprojë presidenti Takaj me skuadrën që do të nisë sot punën për transfertën e rradhës me Erzenin, të mërkurën në orën 15:00.