
Prej afro një muaji Vllaznia ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, por që ndryshimi nga sezoni i mëparshëm nuk është i madh. Disa lojtarë të rinj dhe disa të larguar. Por, asnjë emër "big". Me sa duket, Armando Cungun e kanë tradhtuar të gjithë.
Edhe ai vet e pohon këtë fakt, ku në një deklaratë për mediat ka shprehur se shkodranët që luajnë në Superiore e kanë refuzuar, ndërsa tregon strategjinë e tij sesi do të ndërtojë ekipin e sezonit të ri.
"Deri tani klubi më ka sjellë lojtarë në provë që nuk e meritojnë të veshin fanellën e Vllaznisë. Unë e kam treguar edhe në janar që nuk afrova lojtarë për të mbushur radhët, por besova te shkodranët. Një gjë e tillë do të bëhet nëse ata që vijnë janë më lartë se këta që janë këtu."
"Nuk marr lojtarë për t'i bërë qefin dikujt. Do të më pëlqente që në ekip të kisha vetëm shkodranë, por kjo nuk është në dorën time. Kam kontaktuar me lojtarë cilësorë shkodranë, por ata nuk preferojnë të luajnë për Vllazninë. Është preferencë e tyre. Tani dua që të marr lojtarë të rinj vendës, sepse të huajt që vijnë dhe që nuk japin diçka në fushë, atëherë nuk mund t'i mbaj".