Trajneri i Partizanit Oltijon Kërnaja ka sjellë ndryshimin e madh në ekip, jo vetëm në rezultate, po ashtu edhe të fryma mbizotëruese, e cila është pohuar edhe nga vetë futbollistët në daljet për mediat.
Në prag të “finales” me Egnatian, e cila përkon me javën e 17-të të Superiores, Kërnaja ka folur për emisionin “Sport News” në News 24.
Çfarë është Partizani për ty? Çfarë do të thotë në pikë të karrierës tënde të drejtosh një klub si Partizani?
Partizani momentalisht mund të quhet kulmi i karrierës. Pas një periudhe në kategori të ulëta në kampionatin shqiptar, si kategoria e parë ose e dyta, deri diku B dhe U-21, më erdhi një mundësi e artë dhe falë zotit, ja ku jemi.
Më trego pak, çfarë të ka kërkuar presidenti Demi, si e përjetove momentin kur të konfirmoi përfundimisht se do ishe trajner i parë?
Nuk e kisha menduar që do ishte kaq shpejt. Në fillim të sezonit kur kam ardhur tek ekipi B, ndoshta në një ditë tjetër mund të isha pjesë e Partizanit A, por jo aq shpejt. Në momentin që m’u “propozua”, nuk i thoja dot jo, Partizanit nuk i thuhet dot jo asnjëherë. Presidenti më tha: “Ja ku është, trego veten”. Çdo trajner në botë, nuk ka lidhje konfirmimi ose jo konfirmimi, çdo trajner në botë e mbajnë rezultatet. Nëse do kesh rezultate, do jesh në punë.
Pse është kaq e vështirë të drejtosh Partizanin, ka realisht ka kaq shumë presion?
Është ekip me histori shumë të madhe dhe me infrastrukturën më të mirë në Shqipëri. Ka kushtet më të mira, kërkesa është e madhe, tifozët, ambiciet janë për të qenë gjithmonë “on the top”, e kjo e bën më të vështirë për ta drejtuar. Gjithmonë kërkohen rezultate të mira, qoftë barazimi nuk përjetohet mirë.
Tri fitore radhazi, shtatë ndeshje pa pësuar humbje, çfarë ndryshuat këtë periudhë Kërnaja?
Kemi pasur një periudhë të mirë. Këto djem janë dhe kanë qenë, nuk ka ndryshuar asgjë. Thjeshtë qasja dhe mënyra e interpretimit të ndeshjes ka ndryshuar. Duke i dhënë secilit atë që meriton dhe jemi ku jemi.
Jeni vetëm 3 pikë larg zonës Final 4, a është ky objektivi minimal i Partizanit, a të kanë vendosur një objektiv të qartë drejtuesit?
Objektivi është Final Four, pastaj atje flasim për gjëra të tjera. Shpresojmë që të kemi rezultate pozitive tashmë në dy ndeshjet e fundit, që të jemi aty. Ndoshta mund të jemi që në dhjetor, nëse kemi rezultate të mira. Edhe nëse nuk do jemi në dhjetor, në javët e para të janarit do jemi aty.
Përpara keni rivalëve si Teuta, por mbi të gjitha Vllaznia, Dinamo, Egnatia dhe Elbasani, kujt mendoni mund t’ia merrini vendin për në Final4? Kë sheh jashtë?
Nuk shoh ekipet e tjera. Nuk më intereson kush është kush do dalë jashtë. Më intereson vetëm nëse Partizani do jetë apo jo në katërshe. Kemi treguar me ekipet e para, vetëm ndaj Dinamos kemi humbur ndeshjen e parë me një gol aksidental nga minuta 60-të, me një autogol që ndodh njëherë në 100 vjet. Me të tjerat, mos të themi superiorë, por kemi qenë aty-aty. Nuk kanë asgjë ekipet që janë përpara, më shumë se ne.
Më thuaj të drejtën, me këtë ekip që ke në dispozicion, duke parë edhe rivalët, sigurisht, a e ka Partizani grupin për të synuar titullin?
Partizani e ka stofin mendoj unë. Ndoshta nuk kemi ndonjë element që bën diferencën më shumë se të tjerët, por ndryshe nga të tjerat, kemi numër të lartë lojtarësh. Kemi pasur gjatë këtyre javëve mbi 7-8 dëmtimet. Djemtë jashtë 21-shes fare, kanë hyrë dhe kanë treguar që janë po aty dhe niveli i njëjtë. Kemi numër të lartë lojtarësh që janë konkurrues dhe pse jo, të arrijmë te objektivi madhor.
Çfarë të duhet në janar Kërnaja, ku ka nevojë Partizani të ndërhyrje, ku do përqendroheni?
Të them të drejtën, janë një ose dy elementë që do kërkojmë në këtë fazë. Vështirë për t’i gjetur, pasi merkato e janarit është shumë e vakët. Nëse ka ndonjë lojtarë që mund të afrojmë, pse jo. Ne po kërkojmë “ëinger” anësor. Jemi detyruar të aktivizojmë Buxhelajn. Shpresojmë t’i gjejmë.
Këtë javë kalendari iu rezervon Egnatian, kampionët në fuqi, a është ky testi real për të kuptuar forcën e Partizanit?
Jemi ndeshur edhe herën e parë, kemi treguar lojë dinjitoze, edhe pse u mbyll 0-0. Siç mund ta fitonte Egnatia, edhe neve në minutën e fundit. Egnatia vlen 3 pikë, siç vlen edhe Dinamo pas disa ditësh.
Çfarë ndeshje pret, firmosni për një barazim?
Nuk firmos për barazim. Nëse do ishte për barazim, nuk do luhej ndeshja, ata do rrinin në shtëpi, ne në shtëpi dhe do mbaronte 0-0. Pjesën tjetër ia lejmë fushës.
Premtimi ndaj tifozëve…
Nuk është premtim. Thjesht në dy ndeshjet e ardhshme, të kemi minimumi 4-6 pikë. Vetëm kështu mund të arrijmë në Final Four.
