Pogradeci pas disa javëve me oshilacione në fillim të sezonit, tashmë është rikthyer te rezultatet pozitive në kampionat. Madje liqenorët shikojnë edhe nga kreu i klasifikimit, i cili aktualisht mbahet nga Skënderbeu.
Emiliano Çela duket se ka “gjetur” çelësin e suksesit të kësaj skuadre. Ish-i i Besës mori në dorë “frenat” e liqenorëve pas largimit të Ard Memës, saktësisht më 8 tetor.
Që nga ajo ditë, Çela ka drejtuar Pogradecin në 11 ndeshje, 10 në Kategorinë e Parë dhe 1 në Kupën e Shqipërisë. Në total ka siguruar 7 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbej, atë ndaj Burrelit me shifrat 2-0.
Rezultate këto që i kanë ngjitur në klasifikim dhe kanë bërë që pogradecarët të jenë vetëm 1 pikë larg vendit të dytë që mbahet nga Laçi. Siç dihet liqenoret kanë grumbulluar 29 pikë pas 16 javësh dhe tashmë cilësohen si një nga pretendentët për vendet e para në klasifikim, të cilët të mundësojnë edhe ngjitjen direkt në Superiore sezonin e ardhshëm.
