
Ish-kampioni i peshave të rënda, George Foreman është ndarë nga jeta mbrëmjen e të premtes në moshën 76-vjeçare, lajm i bërë i ditur nga familjarët e tij. Legjenda e boksit ishte i shtruar në një spital në Hjuston, ndërsa ende nuk janë bërë me dije shkaqet që çuan në vdekjen e tij.
“Me dhimbje të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të të dashurit tonë George Edward Foreman Sr., i cili u largua paqësisht më 21 mars 2025, i rrethuar nga njerëzit e dashur.
Një humanitar, fitues olimpik dhe dy herë kampion i botës në peshat e rënda, ai ishte i respektuar, një njeri me disiplinë, bindje dhe një mbrojtës i trashëgimisë së tij, duke luftuar pa u lodhur për të ruajtur emrin e tij”, shkruhet në postimin e familjarëve.
Amerikani njihej ndryshe në ring si Big George, dy herë kampion bote për peshat e rënda, George Foreman kishte ndërtuar një karrierë të gjatë dhe historike në sportin e boksit.
Big George ka fituar medaljen e artë olimpike në vitin 1968, ndërsa është shpallur dy herë kampion bote me 21 vite diferencë, duke e bërë atë kampionin më të vjetër në historinë e boksit në moshën 45-vjeçare. Në karrierën historike të Foreman numërohen plot 76 fitore, përfshirë këtu 68 "knock-out".